19/05/2024
19.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përkohësisht në certifikata nuk do të ketë kolonë për përkatësinë etnike, vendosën gjyqtarët kushtetues

Udhëzimi i ministrit të Drejtësisë Krenar Loga, me të cilin ka futur në certifikata rubrikën për përkatësinë etnike, nuk do të jetë përkohësisht i vlefshëm. Ky është vendimi i gjyqtarëve kushtetues me pesë vota “pro” dhe dy “kundër”.
Debati zgjati më shumë se një orë e gjysmë dhe Loga e ndoqi nga publiku.

Ata vendosën të vazhdojnë procedurën për udhëzimin dhe deri në vendimin përfundimtar për ketë masë të përkohshme që udhëzimi të mos zbatohet. Ka pasur një votim “kundër” procedimit nga Naser Aidari dhe Fatmir Skënderi.

Pas këtij vendimi, Loga tha se “Gjykata Kushtetuese hapi kutinë e Pandorës, në shumë raste nuk u respektua afati kushtetues për botimin e akteve nënligjore në Fletoren Zyrtare dhe jo për futjen e rubrikës për përkatësinë etnike”.

Teza kryesore për fillimin e procedurës është tejkalimi i afatit të nënshkrimit – nga nënshkrimi deri në botim në “Fletoren Zyrtare”.

Udhëzimi i Logës shkaktoi reagime të dhunshme në opinion, të cilët dyshuan se ministri, duke anashkaluar ligjet, po merrte një vendim antikushtetues.

Organizatat bullgare, pas udhëzimeve, kërkuan nga maqedonasit që të nxjerrin pasaporta në të cilat në rubrikën e përkatësisë etnike thuhet se janë bullgarë, në mënyrë që të marrin më lehtë pasaportën bullgare.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, njëherësh profesoreshë e së drejtës kushtetuese, ka konsideruar se është lajm i mirë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e udhëzimeve të reja për librat amzë, e cila përfshin rubrikën për nacionalitet.

Sipas saj, udhëzimi i ri duhet të anulohet. Ajo thekson se të dhënat sensitive për përkatësinë etnike, fetare, politike dhe orientimi seksual nuk guxojnë të gjenden në dokument, por vetëm në librin amzë sepse Maqedonia është nënshkruese e disa dokumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave.

“Përkatësia etnike bën pjesë në grupin e të dhënave sensitive, të cilat i nënshtrohen mbrojtjes së veçantë në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Të dhëna të tjera të tilla janë për përkatësinë fetare, politike, gjendjen shëndetësore, orientimin seksual etj. Vendi ynë është nënshkrues i Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale, dhe në dhjetor 2019 kam nënshkruar personalisht protokollin për ndryshimin e saj, i cili forcon më tej mbrojtjen e këtyre të dhënave sensitive. Ai protokoll është ratifikuar në Kuvend në qershor të vitit 2021 dhe është i detyrueshëm për ne”, ka shkruar Deskoska.

Procedura për udhëzimin vazhdon në Gjykatën Kushtetuese.

Të fundit