28/05/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përkujtohet dëshmori i kombit Burim Huseini sonte në Televizionin Koha ne ora 21, 30 do të ndiqni dokumentarin “Burimi i ëndrrës së lirisë”

Në Universitetin e Tetovës me një akademi është përkujtuar dëshmori i kombit Burim Huseini.Në këtë akademi, ishin të pranishëm familjarët e dëshmorit, strukturat udhëheqëse të Universitetit të Tetovës, shokët, bashkëluftarët dhe përfaqësues të shoqatës së veteranëve dhe dëshmorëve. Burim Huseini, në kohën kur ju bashkangjit rradhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishte student në këtë universitet në drejtimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Rektori I Universitetit të Tetovës Kushtrim Ahmeti, me këtë rast tha se për këtë universitet dhe për gjuhën tonë ranë dëshmorë shumë studentë, punëtorë dhe qytetarë shqiptarë: Bedri Halimi, Zejadin Zimberi, Xhemil Abduramani, Burim Hyseini, Abdylselam Emini e të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot ndriçon rrugën e diturisë sonë. Mw tej, rektori Ahmeti u shpreh se me shpirtin liridashës, me karakterin e fortë, trimërinë e lindur dhe zgjuarsinë e tij, Burim Huseini dhe të gjithë dëshmorët e kombit, çdo faqe historie dhe pëllëmbë toke e kthyen në histori dhe tokë martire.

“Sot, kur ne të gjithë e shënojmë ditëlindjen e Burimit dhe e përkujtojmë veprën e lavdishme të njërit prej studentëve tanë, dëshmor i kombit, shqiptarët kudo që jetojnë frymojnë në rrethana të reja, andaj ne përulemi para veprës së Tij dhe gjithë dëshmorëve të tjerë, për vendosmërinë dhe guximin e tyre, për sakrificën titanike në organizimin e lëvizjeve çlirimtare në përmasa gjithëkombëtare, duke u shndërruar në themel në avancimin e statusit juridik dhe kushtetues të shqiptarëve në trojet tona etnike.Burim Huseini i takonte gjeneratës që njëherë e përgjithmonë i ndryshoi rrjedhat e historisë sonë, i përkiste asaj gjenerate që mishëronte më së miri virtytet e shqiptarit të vendosur për liri dhe demokraci. Njerëzit e tillë, gjeniun dhe temperamentin e tyre e shfaqin dhe e realizojnë në mënyrë kulmore, kudo që veprojnë, ata shfaqin guximin dhe trimërinë e tyre të pashoqe”, tha rektori Kushtrim Ahmeti.

Ndërkaq, për ish komandantin e brigadës 115, Rafiz Haliti, dëshmori Burim Huseini, shumë herët ishte preokupuar me çështjen kombëtare, prandaj edhe kishte udhëtuar deri në Shqipëri për t`iu bashkangjitur luftarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, për shkak të moshës pas stërvitjeve nuk e kishin lejuar që të hyjë në front.

Akademia kushtuar dëshmorit Burim Huseini, u mbajt për të shënuar ditlijen e tij 25 shkurtin, ndërsa vëllau Abaz Huseini, falënderoi Universitetin e Tetovës që nuk I harron dëshmorët e kombit.

Burim Huseini, lindi në fshatin Sllatinë, më 25 shkurt të vitit 1981. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tetovë.Pas përfundimit të shkollës së mesme ai u regjistrua në Universitetin e Tetovës si student. Fillimi i luftës së vitit 2001, Burimin nuk e gjeti në orët e ligjëratave por me pushkë në dorë në Malin Sharr si ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai ra në altarin e lirisë më 31 korrik të vitit 2001, mbi fshatin Sllatinë, ndërsa u varros me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve të këtij fshati.Me këtë rast në Universitetin e Tetovës, është shfaqur edhe një dokumentar I titulluar “Burimi i ëndrrës së lirisë” I përgatitur nga Televizioni Koha.

Ju njoftojmë se sonte në Televizionin Koha ne ora 21, 30 do të ndiqni dokumentarin “Burimi i ëndrrës së lirisë”

Të fundit