11/09/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përplasjet e komunës me ministrinë e pëson gjimnazi

Moslëshimin e mjeteve në adresë të Gjimnazit të Tetovës, Kasami e ka arsyetuar se drejtoresha e Gjimnazit është paditur për shkak të keqpërdorimit të mjeteve financiare. Megjithatë, kreu i komunës së Tetovës është i gatshëm që të ndihmojë në këtë proces për të tejkaluar problemet

  Përderisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komuna e Tetovës përplasen se kush bën politikë me Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviç”, nxënësit janë duke pësuar. Ditëve të fundit në këtë gjimnaz është shfaqur problemi me ndërprerjen e rrymës elektrike, shkaku i borxhit dhe mospagesës në kohë. Kjo situatë është krijuar pasi që Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 19 korrik i ka marrë të gjitha kompetencat komunës së Tetovës për gjimnazin e Tetovës.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, në një pres konferencë me gazetarë ka drejtuar gishtin ndaj Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, duke e akuzuar se tërë këtë situatë e ka krijuar për inate politike duke dëmtuar procesin arsimor. “E dini të gjithë se nga 19 korriku, komuna e Tetovës, nuk ka më asnjë ingerencë e asnjë obligim ndaj gjimnazit të Tetovës, këtë ditë më parë për mediat e konfirmoi edhe vetë ministri, madje duke e demantuar edhe drejtoreshën e gjimnazit. Ministri i Arsimit tha se me marrjen e ingerencave për së dyti herë, tashmë është e obligim i Ministrisë që të gjej zgjidhje për shlyerjen e borxhit të gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’, madje pranoi se nuk janë të aftë ta bëjnë këtë njëherazi por e bëjnë me këste muaj për muaj”, deklaroi Kasami.

Më tej Kasami, është shprehur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës duke dashur që të fajësojë komunën, tash demanton vetveten. “Sikur të ishte faji tek komuna e Tetovës, kjo do kishte ndodhur edhe në shkollat tjera, por kjo nuk po ndodh, kurse procesi mësimor vijon për së mbari. Pra kjo paraqet një dëshmi të fortë se BDI bashkë me ministrin e saj të arsimit dhe drejtoreshën e famshme të gjimnazit, nuk kujdesen fare për mbarvatje të procesit mësimor, por merren me politikë ditore dhe me shpifje ndaj komunës, por si duket kjo nuk po u ec mbarë dhe shumë shpejtë e demantojnë njëri tjetrin”, sqaroi Kasami.

Mos ëshimin e mjeteve në adresë të Gjimnazit të Tetovës, Kasami e ka arsyetuar se drejtoresha e Gjimnazit është paditur për shkak të keqpërdorimit të mjeteve financiare. Megjithatë, kreu i komunës së Tetovës është i gatshëm që të ndihmojë në këtë proces për të tejkaluar problemet. “Komuna e Tetovës këtë periudhë nuk ka lëshuar mjete financiare për gjimnazin, por dihet mirëfilli se përse. Sepse gjimnazi udhëhiqet nga një drejtoreshë ndaj të cilës është ngritur padi penale për keqpërdorime të mjeteve financiare, kjo është evidentuar nga revizioni i brendshëm, i cili konstatoi shkelje të rënda në shfrytëzimin e mjeteve financiare. Dhe për këtë gjë komuna nuk është e interesuar të lëshoj mjete që të njëjtat të vazhdojnë të keqpërdoren. Sa u përket borxheve të krijuara, jemi të gatshëm t’i japin ndihmë Ministrisë së Arsimit për të gjetur zgjidhjen e duhur në kuadër të ligjit dhe rregulloreve të aplikueshme”, deklaroi Kasami.

E gjithë përplasja dhe problemet më gjimnazin e Tetovës, filloi një vit më parë, kur komuna e Tetovës akuzoi drejtoreshën e Gjimnazit Teuta Llalla për keqpërdorime në këtë institucion. Komuna e shkarkoi Llalën por Ministria e Arsimit ia mori ingerencat Kasamit për një vit, ndërsa tre muaj më parë, për të dytën herë, Ministria i mori ingerencat komunës së Tetovës për Gjimnazin, por kësaj radhe jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por në nivel të përgjithshëm. Ministri i këtij dikasteri, Jeton Shaqiri thotë se ndërprerja e rrymës ndodh si pasojë e borxhit të akumuluar më herrët e të cilin, ministria po mundohet ta shlyej. (koha.mk) Urim HASIPI

Të fundit