27/04/2024
10.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Po shkunden plakat”, qytetarët për ndryshimin e motit

Ndryshimi i temperaturave brenda ditësh, reshjet e shiut dhe borës që përfshinë disa pjesë të vendit, të moshuarit i përshkruajnë me një fjali “Po shkunden plakat”. Kjo gojëdhënë e përcjellë gjeneratë pas gjenerate kujtohet çdo pranverë në fund të muajit mars, kur moti pëson ndryshime të mëdha.

“Koha në pranverë, se ato plakat janë, tash koha është, ato plakat e bëjnë dimër, i kanë tre ditë që ja ka marr (shkurtit), edhe për shkak të asaj i dërgon ato adetet, për këtë koha ndryshon… Muhabeti i plakave, ajo kishte qenë një plakë që ka nxjerrë dhi dhe dele në bjeshkë edhe thot krejt i kam, Zotit i thotë, ty nuk ta kam, edhe Zoti ja dërgon një furtunë (kijametin) edhe ja zhduk bagëtinë. Tre ditë e bën atë borën, kijametin. Edhe në atë kohë ka mbet, akoma ato adete i çon ajo”, tha një qytetare.
Ndryshimi drastik i motit ndikon ndaj shëndetit. Një pjesë e qytetarëve ankohen se për shkak të motit të ndryshueshëm po përballen me probleme shëndetësore.

“Kokëdhimbje, humbje të vetëdijes, por edhe vitet e bëjnë të vetën”, u shpreh një tjetër qytetare.

Nga ndihma e shpejtë thonë se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të thirrjeve për ndihmë. Mjekët rekomandojnë konsum të shtuar të ujit, frutave dhe perimeve.

“Numri i thirrjeve normal është rrit, zakonisht kemi më shumë persona që kërkojnë ndihmë kur kanë probleme me vështirësitë në frymëmarrje duke e ditur që ndryshimi I temperaturave ndikon zakonisht te personat me sëmundje në sistemin kardiovaskularë, të tipit me tension të lartë…Ne mjekët rekomandojmë që këta persona zakonisht të marin terapinë paraprakisht duke e matur tensionin, sidomos ata me tension të lartë”, deklaroi Rihad Rexhep , Ndihma e Shpejtë.

Ndërkohë sipas sinoptikëve temperatura të ulëta nuk do të ketë më. Në fundjavë temperaturat do të jenë verore, pasi pritet të arrijnë deri në 28 gradë celsius.

“Reshjet do të vazhdojnë edhe nesër, në orët e mëngjesit dhe të paradites, megjithatë kjo valë e lagështisë do të kalojë shumë shpejt, kështu që prej pasdite do të kemi përmirësim të motit dhe ulje të vranësirave… Prej të premten dhe në ditët e fundjavës do të kemi mot të qëndrueshëm, me diell dhe ngrohtë. Të shtunën dhe të dielën me temperaturë ditore deri në 28 gradë”, tha Juliana Fidanoska Mishkoska, sinoptikane.

Sipas analizave të fundit të temperaturat këtë pranverë do të jenë më të larta se të zakonshmet për këtë periudhë të vitit, por nuk do të mungojnë edhe reshjet e shumta të shiut. /Alsat.mk

Të fundit