04/10/2024
13.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Policia e Kosovës sekuestron para e dokumente në një objekt financiar në Leposaviç

Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka sekuestruar miliona dinarë, disa mijëra dollarë, euro dhe franga, si dhe dokumente të ndryshme nga një objekt financiar serb në Leposaviç, qytet me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia tha se të enjten kreu kontrolle dhe bastisje në dy lokacioneve në Leposaviç pas dyshimeve se institucione financiare kanë bërë shpëlarje parash dhe kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5.772,313.00 dinarë serbë, 57.626,00-dollarë amerikanë, 10.835,00 euro, 2.790,00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Ajo tha se ka sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme “që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve”.

Bastisja e së enjtes lidhet me një aksion të majit të këtij viti në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, kur autoritetet kosovare i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Edhe gjatë atij aksioni, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, ishin konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Këtyre aksioneve të autoriteteve të Kosovës iu parapriu një vendim i Bankës Qendrore e Kosovës për rregulloren e saj të re, e cila nga 1 shkurti ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

Serbia ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja i licencoi në maj tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviç, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u thirrur në ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë, që pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga buxheti i Serbisë./REL

Të fundit