28/04/2024
9.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pollog, 132 raste të dhunës në familje

Dhuna në familje gjithnjë është prezente në rajonin e Pollogut. Kryesisht, dominon dhuna
e ushtruar nga ana e meshkujve karshi femrave, respektivisht burrat janë ata që kryejnë
më shumë raste të dhunës duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre. Nga policia
njoftojnë se gjatë vitit të kaluar në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në
Tetovë, respekivisht në Tetovë dhe Gostivar janë regjistruar gjithsej 132 vepra penale të
lidhura me dhunën në familje.Prej tyre, dominon Tetova me 72 raste të regjistruara karshi
Gostivarit ku janë shënuar 60 raste të dhunës në familje.Sipas policisë, gjatë vitit të
kaluar 21 vepra janë regjistruar më pak krahasuar me vitin paraprak. Më shumë se
gjysma e këtyre veprave përfshinë lëndime trupore, thonë nga Sektori për Punë të
Brendshme në Tetovë. Policia thotë se pjesa më e madhe e këtyre veprave janë zbardhur.
“Në veprat e vitit të kaluar janë përfshirë gjithsej 131 autorë, përkatësisht janë
kallëzuar penalisht dhe numri më i madh i tyre janë zbardhur plotësisht dhe
plotësuar me 113 kallëzime penale. Në mesin e autorëve, përsëri janë më të shumtët
meshkujt 122, kryesisht bashkëshortë, ish-bashkëshortë, bashkëshortë të
pakurorëzuar, baballarë, djem e të tjerë, si dhe janë regjistruar 9 dhunuese femra të
këtij lloji dhune”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të
Brendshme në Tetovë.
Viktimë e dhunës në familje gjatë vitit të kaluar ishin kryesisht gjinia femërore, prindërit
dhe anëtarë të tjerë të familjes.
“ Numri i “viktimave” të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe ishte 130, nga të
cilat 106 ishin gra,bashkëshorte, ish, bashkëjetuese, nëna, motra, si dhe 24 burra,
kryesisht baballarë dhe djem. Arsyet më të shpeshta për këtë lloj dhune, sipas
njohurive të mëparshme dhe përvojës profesionale të Sektorit për Punë të
Brendshme në Tetovë, janë çrregullimet nervore, veset e ndryshme, e mbi të gjitha
alkooli, droga e të tjera” thotë zëdhënësi Rexhepi.
Nga ana tjetër, edhe këtë vit dhuna në familje është mjaft aktuale dhe prezente në rajonin
e Pollogut duke patur parasysh se pothuajse në çdo të ditën e dytë ka denoncime për
dhunë në familje. Krahas zënkave mes çifteve, kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur
viktimë të dhunës janë prindërit nga ana e fëmijëve të tyre.Nga ana tjetër, shpesh herë
ndodh që palët e konfliktuara të tërheqin deklaratën e tyre dhe të mos e vazhdojnë
procedurën në organet e drejtësisë. Kryesisht janë gjinia femërore ajo e cila në shumë
raste e tërheq denoncimin ndaj bashkëshortit që të mos ketë ndjekje penale.

Të fundit