15/06/2024
22.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Punëtorët e ndërtimtarisë pa pajisje mbrojtëse

Në qendër të Shkupit, disa punëtorë po punonin në rinovimin e një ndërtese. Ata nuk kishin pajisje themelore për sigurinë e tyre në punë, sikurse helmetat, syzet mbrojtëse nga copëzat interne e as nuk kishte barrikada mbrojtëse për t’i mbrojtur ata gjatë punës në lartësi.

Pavarësisht insistimit të Radios Evropa e Lirë, asnjëri nga ta nuk pranoi të flasë për kushtet në punë nga frika se mund të humbasin vendin e tyre të punës.

Por, punëtori në sektorin e ndërtimtarisë, Fari Imeri, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpos dorezave, punëdhënësit nuk i kanë dhënë asgjë tjetër.

Ai tregon se ka punuar edhe në lartësi të mëdha, në ndërtesa shumëkatëshe, por asnjëherë nuk ka qenë i lidhur me litarin mbrojtës dhe as nuk ka pasur barrikada mbrojtëse.

“Unë jam punëtor [i sektorit të ndërtimtarisë] tash e 20 vjet. Mund të them se nuk kemi aspak të drejta. Punëdhënësi t’i jep një palë doreza, asgjë tjetër”, thotë Imeri.

Ai shton se për shkak se nuk ka kontratë punë, në rast të ndonjë aksidenti gjatë punës, nuk mund të përfitojë nga asnjë e drejtë ligjore.

“Unë para pesë vjetësh u lëndova gjatë punës, 400 kilogramë më ranë në kokë. Punëdhënësi e ka shkruar [në raport] se gjoja unë isha alivanosur. Më beso, më ka ardhur keq kur e lexova raportin nga organet përkatëse. Pas kësaj, ai as që erdhi të më vizitoj për të parë gjendjen time”, thotë ai.

Nga organizatat që fokusohen në sigurinë e punëtorëve thonë se objektet që rinovohen apo ndërtohen paraqesin rrezik për punëtorët, por edhe për qytetarët që kalojnë pranë, pasi gjatë ndërtimit nuk respektohen as standardet më minimale për siguri gjatë kryerjes së punimeve.

Reagime të ashpra kundër ndërtuesve vijnë pasi një punëtor vdiq në korrik gjatë punimeve të një objekti në afërsi të stacionit të vjetër hekurudhor në qendër të Shkupit.

Sipas të dhënave, më 2022 në Maqedoninë e Veriut vdiqën 22 persona në vendet e tyre të punës, gjashtë prej të cilëve ishin duke punuar në sektorin e ndërtimtarisë.

Punëtorët “nuk i dinë të drejtat e tyre”

Mihail Petkoski nga Shoqata për mbrojtje gjatë punës thotë për Radion Evropa e Lirë se pronarët e kompanive të ndërtimit neglizhojnë sigurinë e punëtorëve. Kjo ka bërë që një numër i madh i punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë të pësojnë lëndime, megjithëse, sipas të dhënave zyrtare, numri i lëndimeve të paraqitura në sektorin e ndërtimtarisë është 14.

Petkoski thotë se një pjesë e madhe e punëtorëve në këtë sektor nuk i paraqesin rastet kur pësojnë lëndime, pasi ata punojnë pa kontrata pune dhe janë “të padukshëm për sistemin”.

“Punëtorët në Maqedoni [të Veriut] janë mësuar të heshtin nga frika se do të humbasin vendin e punës. Sipas një hulumtimi që kemi realizuar, 85 për qind e punëtorëve nuk janë të njoftuar me të drejtat e tyre. Aq më pak e trajtojnë temën e sigurisë”, thekson Petkoski.

Ai thotë se për shkak të mungesës së kontrolleve nga Inspektorati i Punës, kompanitë e ndërtimit neglizhojnë rregullat për mbrojtjen e punëtorëve, duke po iu siguruar atyre kushte dhe mjetet e nevojshme mbrojtëse që nevojiten gjatë punës. Sipas Petkoskit, më e keqja është se punëdhënësit në këtë sektor i angazhojnë punëtorët pa kontrata pune dhe në rast të ndonjë fatkeqësie, ata janë të padukshëm për sistemin, rrjedhimisht rastet e incidenteve të punë nuk regjistrohen.

Siguria e punëtorëve të ndërtimtarisë garantohet përmes disa ligjeve, sikurse Ligji për marrëdhënie pune, ai për sigurinë në vendin e punës dhe Ligji për ndërtim.

Për garantimin e zbatimit të këtyre ligjeve përgjegjës janë Inspektorati shtetëror i Punës, ai për ndërtimtari dhe inspektoratet në nivele komunale.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nga autoritetet se në sa raste kanë reaguar këto institucione sa i përket shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Një nga ankesat kryesore të punëtorëve të ndërtimtarisë po ashtu është edhe mospagesa e orëve shtesë. Duke qenë se shumica e tyre nuk kanë kontrata pune ata rëndom paguhen vetëm për punën që bëjnë dhe jo për orët e angazhuara për punë.

Të fundit