27/04/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qepë, Hudhra, Erëza- Supa më e Fortë se Antibiotikët

Nëse kërkoni të mposhtni virozat e stinës, mos gërmoni kot në kutinë e barnave që mbani në shtëpitë tuaja apo t’i drejtoheni farmacisë. Zgjidhjen e keni brenda në kuzhinën tuaj! Mjafton një supë me përbërësit e duhur dhe virozat do të qendrojnë larg organizmit tuaj.

Receta e mëposhtme është shumë interesante sepse kombinon dy nga përbërësit kryesorë të shëndetit të mirë: Qepë, hudhra dhe erëza. Bëhet fjalë për tre superfuqi në një pjatë të vetme.

Por si çdo e mirë, edhe kjo supë ka nevojë për shumë durim nga fillimi deri në fund.

Pavarësisht lodhjes, kjo është një nga supat më shpërblyese. Supa me qepë, hudhra e erëza është tërësisht vegjetariane.

Një tjetër përbërës interesant është djathi i shkrirë apo buka e thekur që plotësojnë panoramën e një mbrëmjeje të bukur vjeshte nën magjepsjen e një supe të shijshme.

Përbërësit
Supa:
Gjysëm gote me vaj ulliri
6 thelpinj hudhre të shtypur
1 kilogram kokrra domate të qëruara dhe të prera në copa të vogla.
1 ose 2 lugë çaji me kripë deti
2 lugë gjelle me vaj vegjetal
1 kilogram qepë të grira hollë
4 gota me verë të bardhë të thatë (opsionale)
Çerek gote me uthull të bardhë
Majdanoz, Piper dhe Dafinë
Buka e thekur/pjekur:
1 lugë gjelle me vaj vegjetal
Një panine mesatare e prerë në copa të vogla
1 lugë gjelle me gjalpë pa kripë
Gjysëm filxhani me djathë (për shkrirje) të grirë
Përgatitja
Në një tenxhere të madhe përzieni vajin e ullirit dhe hudhrën. Kavërdisini në zjarr mesatar dhe përziejini vazhdimisht për 2 minuta. Shtoni domatet dhe një ose dy lugët e çajit me kripë.

Rriteni temperaturën deri sa lëngu të ziejë dhe më pas uleni atë. Domatet duhet të gatuhen për 45 minuta deri sa të shpërbëhen dhe shija e saj dhe hudhrës të ndërthuren plotësisht.

Merrni një tigan të thellë dhe hidhni vajin vegjetal. Shtoni qepët dhe dy lugë gjelle me kripë. Ngrijeni temperaturën dhe përziejini vazhdimisht. Pas një minuti, uleni temperaturën dhe vendoseni kapakun dhe lëreni qepën të kavërdiset ngadalë për 20 minuta.

Kur të hiqni kapaku, avulli do të dalë dhe qepët do të kenë filluar të karamelizohen. Përzijini herë pas here deri sa qepët të marrin ngjyrën kafe. Hidhini në një tas dhe vendoseni tiganin sërish në zjarr.

Shtoni verën, uthullën, barishtet dhe erëzat. Zijini deri sa lëngu të pakësohet dhe të trashet. Shtoni gjashtë gota ujë, lërini të ziejnë sërish dhe më pas hiqeni tiganin nga zjarri.

Kullojeni lëngun dhe hidheni në tenxheren e domateve. Shtoni qepët e karamelizuara dhe dy lugë çaji me kripë. Lëreni supën të ziejë sërish për 20 minuta.

Gjatë kësaj kohe, kavërdisni copat e bukës në një tigan me skarë. Në fillim hidhni vajin dhe lëreni të ngrohet, më pas shtoni copat e bukës një e nga një. Kur të kenë marrë një ngjyrë të artë në pjesën e poshtme, kthejini nga ana tjetër.

Shtoni gjalpin dhe kavërdisini copat e bukës për 3-4 minuta deri sa të marrin një nuancë kafe. Hiqini nga tigani dhe vendosini në një pjatë.

Hidhni nga 3 copa buke në 6 pjata supe rezistente ndaj zjarrit dhe shtoni nga pak djathë. Hidheni supën në pjata dhe shtoni sërish nga pak djathë. Futini në furrë për 2-3 minuta deri sa djathi të ketë shkrirë dhe të ketë formuar bulëza.AgroWeb.org

Të fundit