19/05/2024
15.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, bie interesi për gjimnazet, rritet për arsimin profesional

Arsimi i mesëm profesional po bëhet gjithnjë e më tërheqës dhe interesant për të rinjtë. Kështu tregon edhe afati i parë për regjistrim i këtij viti, pas së cilës vërehet se gjimnazet mbeten me shumë vende të lira, ndërsa drejtorët e shkollave profesionale lavdërohen me regjistrim më të mirë krahasuar me vitet e kaluara, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nëse vitin e kaluar për 285 vende të lira në gjimnazin “Orce Nikolov” kanë aplikuar 337 kandidatë, pas së cilës është dashur të bëhet përzgjedhje me test kualifikues, këtë vit numri i aplikantëve është 271, që do të thotë se numri i parashikuar i vendeve të lira nuk është përmbushur. Para shkollës dje qysh nga mëngjesi ishin prindër dhe nxënës që kërkonin veten në listat që ishin shfaqur te dera e hyrjes dhe disa prej tyre qanin nga gëzimi sepse ishin pranuar.

Drejtori i “Orce Nikollov” Mitko Dimovski thotë për Meta.mk se pret që numri të plotësohet në afatin e dytë të regjistrimit.

“Kandidatët kanë një mesatare 5.00, dhe pesë nga aplikantët kanë katër në dëftesat e tyre. Të gjithë nxënësit zyrtarisht duhet t’i sjellin dokumentet për kontroll në shkollë sot dhe nesër”, tha dje Dimovski.

Edhe numri i kandidatëve të regjistruar në “Nikolla Karev” tregon se interesimi për gjimnazin është në rënie. Drejtori i kësaj shkolle të mesme Andrej Manolev thotë se sipas konkursit janë 272 vende të lira, ndërsa për regjistrim kanë aplikuar 273 nxënës.

“Vitin e kaluar kemi refuzuar 35 nxënës, dy vite më parë – 70, kurse këtë vit kemi vetëm një student që do të duhet të refuzohet. Për mendimin tim, arsyet e uljes së interesit janë dy, njëra është ulja e natalitetit në vend dhe e dyta janë përfitimet e arsimit të dyfishtë në shkollat ​​profesionale”, thotë Manolev.

Vende të lira ka në “Rade Jovçevski Korçagin” si dhe në “Josip Broz Tito”. Në “Korçagin” duan të mësojnë 177 nxënës, pra ka vend për 85 kandidatë. Në “Josip Broz Tito” janë regjistruar 293 fëmijë, ndërsa për periudhën e dytë të regjistrimit mbeten edhe 47 vende të lira.

“Në paralelet e mësimit në gjuhën turke janë regjistruar 45, kurse mbesin edhe 19 vende të lira”, njofton për Meta.mk drejtoresha e “Josip Bro Tito”, Silvana Kërzhovska.

Pasqyrë tjetër është në arsimin e mesëm profesional. I kënaqur nga regjistrimi i këtij viti është drejtori i shkollës profesionale “Vllado Tasevski”, Aleksandar Sibinovski, i cili për Meta.mk informoi se për 300 vende të lira kanë aplikuar 187 nxënës.

“Vitin e kaluar për 300 vende kemi pasur 150 nxënës, që do të thotë se është rritur numri këtë vit. Përsëri kemi rritje në profesionin e elektro, gjegjësisht telekomunikacionit dhe teknologjisë kompjuterike dhe automatizimit. Kandidati i fundit i pranuar ka 68 pikë nga 75 të mundshme, që do të thotë se të gjithë fëmijët janë të shkëlqyer”, informon Sibinovski.

Rritje të interesimit ka edhe në shkollën e mesme “Maria Kiri Skllodovska”, ku, siç informon drejtori Darko Spasev, këtë vit për 570 vende të lira kanë aplikuar 412 nxënës, ndërsa vitin e kaluar kanë aplikuar 376 kandidatë, që tregon rritje të interesimit.

Do të ketë test kualifikimi në mjekësi

Në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” do të ketë test kualifikimi për drejtimin farmacist në mësimin në gjuhën shqipe.

“Këtu ka më shumë kandidatë të regjistruar se sa ka vende të lira, pra të gjithë kanë të njëjtin numër pikësh. Ajo që është interesante është se edhe pse është përmbushur kërkesa për hapjen e drejtimi gjinekologjik-obstetrikë në gjuhën maqedonase, nuk ka aplikuar asnjë kandidat. Për infermierët kemi tri paralele në gjuhën maqedonase dhe janë pothuajse të mbushura, ka ende ndonjë vend të lirë. Vende të lira ka edhe për teknik dentar. Ka interesim të dukshëm për farmaci edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe sepse ka mundësi për punësim në “Alkaloid”, thotë drejtoresha Maja Saliu për Meta.mk.

Arsimi i mesëm në vendin tonë është i detyrueshëm. Siç njoftojnë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numri i nxënësve në klasën e nëntë, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka shënuar rënie. Vitin e kaluar kishte 19.086 nxënës, ndërsa këtë vit – 18.882.

Të fundit