01/03/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, kollë që zgjat me javë të tëra dhe plogështi, ordinancat plot me pacientë të sëmurë

Kollë që mund të zgjasë për javë të tëra dhe për të cilën asgjë nuk ndihmon, temperaturë e lartë, ndjesi plogështie dhe rraskapitjeje. Këto janë simptomat më të shpeshta që përjetojnë pacientët, të cilët kanë mbushur klinikat në periudhën e kaluar. Doktor Bojan Trajkovski, mjek në objektin shëndetësor privat “Medika Vera”, thotë se përveç të gjitha viruseve dhe baktereve që janë aktuale gjatë kësaj periudhe, ndotja e ajrit edhe më shumë e përkeqëson situatën, raporton Meta.mk

Siç shpjegon ai, është shumë e vështirë të dallosh nëse bëhet fjalë për grip, Covid, apo diçka tjetër. Ai thotë se mund të supozojë, por jo të njohë, sepse ndodh që analiza e gjakut të jetë e qetë, por simptomatologjia tek pacienti është intensive.

“Nuk është e zakonshme që ordinanca jonë të jetë kaq e mbushur në këtë periudhë të vitit. Viti i kaluar nuk ishte i tillë. Ne thithim ajër shumë të ndotur, nuk e dimë se çfarë përmbajnë grimcat PM10. Mjafton vetëm të shikosh makinat pas shiut, ato janë të zeza. Pacientët e mi që vijnë për kontroll kanë një kollë, e cila është gjendja më elementare për momentin, përveç simptomave të tjera. Dhe nuk vjen nga gjoksi, por nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes, gjegjësisht preken fyti dhe sinuset”, thotë Trajkovski.

Është një kollë, shton ai, e cila zgjat me javë të tëra dhe që as antibiotikët nuk funksionojnë. Ajo që është karakteristike është se pacientët nuk kanë simptoma respiratore të poshtme, por zakonisht kanë dhimbje në fyt dhe hundë (sinusit akut), si dhe një temperaturë që zgjat disa ditë.

Përvojat e pacientëve thonë se kur shkojnë në mal, u ndalet kollitja, që është tregues se ajri luan një rol të madh”, shton dr. Trajkovski.

Për mënyrën se si të mbrohemi, ai rekomandon pastruesit e ajrit, si në shtëpi ashtu edhe në vendin e punës, por edhe qëndrimin në një mjedis të pastër ku ajri nuk është i ndotur.

“Një mbrojtje tjetër janë maskat me filtra. Nuk do të jetë 100% mbrojtje, por është diçka. Udhëtoni jashtë, në mal sa më shpesh”, rekomandon mjeku.

Meta.mk ka kontaktuar edhe me Institutin për sëmundje të mushkërive në Kozle, nga ku kanë bërë të ditur se ka fëmijë të shtruar në spital.

“Më të përhapurit për momentin janë bronkioliti, i shkaktuar nga infeksionet virale. Ndotja e ajrit është sigurisht një faktor nxitës. Megjithatë, situata nuk është aq dramatike sa ishte gjatë Vitit të Ri dhe festave. Në periudhën e kaluar fëmijët kanë qenë me pushime, kështu që situata ka qenë më e qetë. Tani kanë shkuar në shkollë, kështu që do të shohim se si do të jetë situata në ditët në vijim”, thotë Mimi Popovska, pediatre në Institut.

Për sa i përket raportimeve për grip sezonal dhe sëmundje të ngjashme me gripin, vërehet një rritje e numrit të rasteve. Në tetor të vitit të kaluar janë regjistruar 196 raste, në nëntor – 268 raste, në dhjetor – 829, ndërsa në janar numri është 2.207 raste  janë regjistruar 5 persona të vdekur të lidhur me gripin, dy nga Shkupi dhe nga një nga Kumanova, Gostivari dhe Shtipi,  të gjithë të shtruar në spital, me sëmundje shoqëruese dhe të pavaksinuar kundër gripit sezonal”, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik.

Vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje. Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinimin për të gjithë popullatën, veçanërisht për personat që i përkasin grupeve të rrezikut – të moshuarit (mbi 65 vjeç), fëmijët 6-59 muajsh, personat mbi 6 muaj me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit e shënetit.

“Për sezonin 2023/2024 Ministria e Shëndetësisë ka ofruar vaksinë katërvalente falas në një sasi totale prej 60 mijë dozash, e destinuar për grupet prioritare të popullsisë. Janë siguruar edhe 15,000 doza shtesë të vaksinës katërvalente përmes një donacioni nga PIVI (Partneriteti për prezantimin e vaksinës kundër gripit)”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Të fundit