13/07/2024
24.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, prej sot fillon regjistrimi i filloristëve për vitin shkollor 2023/24

Prej sot e deri në fund të majit do të zgjasë regjistrimi elektronik i nxënësve në klasë të parë në vitin shkollor 2023/2023. Regjistrimi bëhet përmes portalit uslugi.gov.mk ku prindërit/kujdestarët duhet të plotësojnë aplikacion, të zgjedhin shkollën dhe t’i bashkëngjisin dokumentet e nevojshme të skanuara. Pasi aplikacioni të pranohet, caktohet data në të cilën nxënësi duhet të shkojë në bisedë me pedagogun në shkollë, njofton Portalb.

Kushtet për regjistrim të filloristëve janë që të ketë mbushur gjashtë vjet deri në fund të vitit kalendarik, të dorëzohet vërtetim për vaksinat e marra të obligueshme për fëmijën, si dhe vërtetime për kontrolle oftalmologjike dhe stomatologjike nga institucione kompetente.

Përjashtimisht, fëmija mund të regjistrohet në klasën e parë në qoftë se deri më 31 janar të vitit të ardhshëm mbush gjashtë vjet, me kërkesë të mëparshme nga prindi, gjegjësisht kujdestari dhe mendim të marrë nga pedagogu ose psikologu në shkollë.

Prindi, gjegjësisht kujdestari, ka të drejtë ta regjistrojë fëmijën në shkollën fillore në rajonin në të cilin jeton ose ku vazhdimisht qëndron. Shkolla fillore mund të regjistrojë nxënës nga një rajon tjetër ose komunë tjetër vetëm në qoftë se ka vende të lira për regjistrim ose në qoftë se nxënësi nga rajoni ose komuna tjetër nuk ka mundësi për të ndjekur mësimin në gjuhën e tij amtare në rajonin ose komunën e tij.

Këtë shërbim dixhital përmes portalit uslugi.gov.mk, MASH e solli para dy vitesh për regjistrim të filloristëve në vitin shkollor 2021/2022.

Ndryshe, në nivel të Maqedonisë çdo vit zvogëlohet numri i nxënësve, duke përfshirë edhe ata të klasës së parë. Nëse në vitin shkollor 2011/2012 në vend kishte 986 shkolla, në dhjetë vjet ky numër u ul në 973. Kjo tregon se në një dekadë janë mbyllur 13 shkolla, pa llogaritur shkollat ​​rajonale në pjesët rurale, pasi Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) numëron shkollat ​​që janë qendrore/amë.

Të fundit