15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, të punësuarit në prokuroritë publike nisën grevë, kërkojnë rritje për 78% të pagave dhe kthimin e shtesave në paga

Të punësuarit në prokuroritëpublike sot kanë dalë në grevë dhe kërkojnë rritje për 78 përqind të pagave dhe kthimin e 35 përqind të shtesave në paga, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë grevës, punonjësit e prokurorive publike nuk do të punojnë e as nuk do të jenë në vendet e tyre të punës. Greva do të mbahet në sallat e mbledhjeve të prokurorive, korridoret, hapësirat e përbashkëta ose para objekteve të Prokurorisë Publike”, informoi Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në administratë, organet e drejtësisë dhe shoqatat e qytetarëve (SPAOGjShQ).

Greva, e cila fillon sot, thotë Deanoski, do të mbahet në të gjitha 28 prokuroritë publike në vend dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave. Gjatë grevës do të kryhen vetëm punë urgjente, përkatësisht grevistët sipas rregullave ligjore do të punojnë në rastet në të cilat ka vetëm paraburgim, bastisje apo ankesa urgjente, shton Deanoski.

“Greva është shpallur në kohë dhe në përputhje me rregulloret ligjore. Ne nuk do të lejojmë asnjë presion ndaj punonjësve për të kryer detyra të tjera pune përveç atyre që janë urgjente. Për fillimin e grevës është njoftuar edhe ministri i Drejtësisë, por nuk ka gjetur kohë të na presë dhe të dëgjojë kërkesat tona”, tha Deanoski.

Ai tha se të gjitha partive politike në Kuvend u është dërguar një amendament, me të cilin kërkohet që të sigurohen mjete për paga më të larta për punonjësit e prokurorëve në ribalancimin e buxhetit. Dhe është koha, thotë Deanoski, që të paktën një deputet nga cilado parti politike ta ketë virtytin të dëgjojë zërin tonë dhe të fillojë të luftojë për punëtorët.

“Punonjësit në prokurori janë të unifikuar, kërkesat tona janë të drejta dhe legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej tyre. Jemi të gatshëm të përballojmë të gjitha presionet dhe nëse nuk respektohen kërkesat tona greva nuk do të ndalet”, thotë ai.

Kryetarja e organizatës sindikale pranë prokurorive publike, pjesë e SPAOGjShQ, thotë se vetë qeveria e ka shkaktuar grevën.

Sipas saj, problemet janë grumbulluar prej vitesh, por këtë herë, siç tha ajo, jemi të gjithë si një dhe nëse duhet të zgjasë me muaj, nuk do të dorëzohemi.

“I bëj thirrje ministrave të drejtësisë dhe financave që të na thërrasin më shpejt, të mos humbim kohë të çmuar, të ulemi dhe të fillojmë negociatat, sepse realisht ka shumë gjëra për t’u zgjidhur. Nëse ligji për shërbimin gjyqësor tashmë është gati, ligji për prokurorinë publike as nuk ka filluar, as nuk jemi thirrur për ta negociuar dhe për të treguar specifikat tona. Zakonisht ata bëjnë copy-paste ligjin për shërbimin administrativ dhe ne këtë herë nuk do ta pranojmë”, shtoi ajo.

Me kontratën e përgjithshme kolektive, thotë kryetarja, paga na rritet për 10 për qind, pra nga 22 në 24 mijë denarë dhe kaq.

“Të gjithë po punojmë për kredi dhe për këtë tashmë është derdhur gota dhe apelojmë për takim më të shpejtë sepse do të radikalizojmë grevën dhe do të alarmohen të gjitha institucionet, ambasadorët si ata të BE-së, SHBA-së, Holandës t’i tregojmë problemet tona sepse mendoj se nuk e dinë se me çfarë po përballemi”, tha ajo.

Protestë me kërkesa të ngjashme zhvilluan edhe Sindikata e pavarur e administratës shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e pavarur për shërbim gjyqësor që funksionon në kuadër të saj. Me pankarta ku shkruhej “Pagat evropiane për ne dhe ju”, ata shprehën pakënaqësinë e tyre për pagat e ulëta dhe mospagesën e shtesave të pagave.

Edhe ata deklaruan që nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre, paralajmëruan se  do të protestojnë duke bllokuar rrugë dhe duke mos lëshuar vërtetime për mosdënim dhe dokumente të tjera. Ata nuk pajtohen me K-15 në vlerë prej 10 mijë denarë.

Të fundit