Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, deklaroi se Kodi Zgjedhor ka marrë vlerësime pozitive nga ODIHR-i dhe Komisioni Evropian, por theksoi se për miratimin e tij është i domosdoshëm konsensusi politik mes partive.
Gjatw promovimit të pajisjeve të reja ushtarake në kazermën “Ilinden”, duke folur për ndryshimet e bllokuara në Kodin Zgjedhor, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të paketës së reformave të lidhura me agjendën evropiane, Rokas tha se ende po zhvillohen bisedime rreth disa modaliteteve.
MIHALIS ROKAS – Ambasador i BE-sw
“ODIHR-i dhe Komisioni Evropian kanë dhënë vlerësim pozitiv. Ajo që mbetet për t’u dakorduar janë modalitetet. E kuptoj se ekzistojnë mospajtime, por kam ndjesinë se ka vullnet të mirë që ato të tejkalohen. Komisioni parlamentar tashmë po punon dhe shpresoj që partitë të ulen së bashku dhe të arrijnë konsensus për këtë çështje të ndjeshme. Baza e ligjit është cilësore dhe zgjidhja është vlerësuar pozitivisht edhe nga institucionet ndërkombëtare”
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bllokuar për shkak të mospajtimeve rreth modelit të votimit të diasporës. Qeveria i ka bërë thirrje opozitës për debat konstruktiv, duke vlerësuar se bëhet fjalë për pjesë të detyrimeve reformuese që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Nga ana tjetër, LSDM-ja pretendon se ndryshimet e propozuara hapin mundësi për keqpërdorime zgjedhore.
Rokas vlerësoi se është shënuar përparim në të 51 hapat reformues dhe se procesi i reformave është përshpejtuar dukshëm.
“Euronjuz” publikoi se Komisioni Evropian po përgatit ridestinimin e një pjese të fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor drejt vendeve që kanë treguar përparimin më të madh në zbatimin e reformave. Sipas këtyre informacioneve, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi renditen ndër përfituesit më të suksesshëm të mbështetjes financiare evropiane.







