Lideri i krahut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas njoftimeve se mund të bëhet pjesë e Qeverisë, i ka vendosur kusht Izet Mexhitit para bashkimit të koalicionit “Vlen”.
Sela thekson se çdo diskutim për përfshirje në pushtetin ekzekutiv duhet të bazohet në kushte të qarta politike, ndërsa prioritet për Aleancën për Shqiptarët mbetet zbatimi i parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, ky parim është i domosdoshëm për të garantuar barazinë dhe përfaqësimin e drejtë, veçanërisht për komunitetet joshumicë në vend.
Nga “Vlen” vlerësojnë se pas 9 majit, kur do të mbahet kongresi i koalicionit, do të nisë një ristrukturim dhe bashkim i ri politik në bllokun shqiptar.
Sipas tyre, një pjesë e rëndësishme e anëtarësisë dhe strukturave të BDI-së, sidomos nga niveli i dytë dhe i tretë, pritet të kalojë në “Vlen”.
Në të njëjtën kohë, nga koalicioni bëjnë të ditur se ka bisedime në nivele më të ulëta me Aleancën për Shqiptarët e Selës lidhur me hyrjen e saj të mundshme në Qeveri.
Disa ditë para kongresit, nga “Vlen” theksojnë se më 9 maj përfundon “iluzioni politik se shqiptarët mund të mbeten të ndarë përgjithmonë”. “Në Ditën e Evropës, Vlen shkon drejt Kongresit të Bashkimit si forcë që e ka kuptuar mesazhin e kohës. Shqiptarët kanë nevojë për një zë të fortë, të bashkuar dhe të palëkundur”, thuhet në komunikatë.
Në kongres, sipas paralajmërimeve, 850 delegatë do të konfirmojnë procesin e bashkimit, i cili, siç thonë nga “Vlen”, synon sundimin e ligjit, gjyqësor të pavarur, tolerancë zero ndaj korrupsionit, integrime evropiane dhe mbrojtje të identitetit kulturor dhe kombëtar.







