Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë konfirmoi se Serbia posedon raketa balistike hipersonike ajër-tokë.
Gjatë një interviste për televizioni publik serb – RTS, ai tha se bëhet fjalë për raketa të Kinës CM-400 me fuqi shkatëruese që mund të godasin caqe deri në 400 kilometra.
“Raketat ajër-tokë do të thotë se gjuani caqet në tokë, janë raketa me fuqi shkatëruese CM-400, mund të gjuajnë, varësisht peshës që mund të shkojë deri në 900 kg, mund të godasin caqe në largësi prej 200 deri në 400 kilometra. Kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi më shumë”
Vuçiq gjatë intervistës pohoi se Serbia nuk do të sulmojë askend, por shprehu shqetësime se në të ardhmen Serbia mund të bëhet cak I sulmeve, sic tha, nga aleanca ushtarake Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë.
“Kjo aleancë ushtarake drejtpërdrejtë është kundër Serbisë. S`ka arsye tjetër. Ata presin momentin që do të ndodh në të ardhmen kur do të shpërthejë konflikti madh midis Evropës dhe Rusisë në Lindjen e Mesme. Gjithë këtë e bëjmë që të mbrohemi”
Blerjen e raketave kineze e ka komentuar Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq. Ai për mediat kroate deklaroi se për këtë cështje do të flasë me aleatët e tij të NATO-s dhe BE-së.
“Kroacia është anëtare e NATO-s. Po ndjekim procesin që zhvillohet në Serbi. Bëhet fjalë për armë serioze. Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën veri-atlantike lidhur me këtë armatim që paraqet risi në ushtrinë serbe”
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.







