Të tjera lajme

SHASIVARI MERR DREJTËSINË, SULEJMANI KULTURËN – VLEN PREMTON NJË FILLIM TË RI

Ministrinë e Drejtësisë e quan një ndër resorët më të rëndësishëm të Qeverisë teksa ka falënderuar Presidencën e VLEN-it për besimin e dhënë.

Gjatë një deklarate ekskluzive për Tv Koha, i nominuari i VLEN-it për postin e Ministrit të Drejtësisë, profesori universitar Jeton Shasivari premton vazhdimin e reformave që afrojnë vendin tonë me standardet evropiane, sundimin e ligji, luftimin e korrupsionit dhe mbi të gjitha transparencë dhe llogaridhënie. Sipas Profesorit Jeton Shasivari, Ministria e Drejtësisë duhet të jetë urë lidhëse midis Qeverisë, qytetarëve dhe institucioneve.

JETON SHASIVARI – I nominuar për Ministër të Drejtësisë

Kuptohet se vendi ynë ka disa aspekte sa u përket reformave dhe do jap përkushtim dhe angazhim profesional me integritet dhe profesionizëm që të arrijmë aty ku duhet, sidomos në plotësimin e standardeve evropiane veçanërisht sa i përket sektorit të drejtësisë. Nga ana tjetër si profesor universitar, çdoherë kam menduar që ajo që njihet në shkencë juridike duhet edhe të zbërthehet në praktikë. Tani si Ministër i ardhshëm gjithë potencialin tim akademike dhe profesionale, do ta vejë në shërbim të zgjidhjeve praktike, për probleme të shumta që ekzistojnë në sferën e drejtësisë.

Besimin e dhënë nga Presidenca e VLEN-it për të ushtruar postin e Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani e quan një fazë ndryshe me përgjegjësi shumë më të madhe.

Gjatë një deklarate ekskluzive për Tv Koha, tha se do të jetë në shërbim të shqiptarëve dhe qytetarëve për të mos zhgënjyer ata që ia dhanë besimin.

SEDAT SULEJMANI – I nominuar për Ministër për Kulturë

“Fillimisht falënderoj Presidencës e VLEN-it që të jem përfaqësuesi I tyre në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

Unë deri tani kam qenë Zv/Ministër në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe mendoj se kemi punuar mjaft mirë me ekipin tim dhe kemi qenë në shërbim të shqiptarëve për kulturë. Kemi bërë punë sa që ndoshta 20 vite nuk janë bërë, por, tanimë kalojmë në një fazë më ndryshe me përgjegjësi shumë më të madhe. Unë shpresoj se edhe këtë do ta kalojmë me sukses dhe nuk do t`i zhgënjejmë ata të cilët na kanë besuar këtë detyrë dhe premtoj se do të jem në shërbim të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”

Ndryshe emrat e Jeton Shasivarit, Sedat Sulejmanit por edhe të Agon Feratit si Ministër për Marrëdhënie midis Bashkësive janë propozuar pas mbledhjes së Presidencës së VLEN-it.

Sipas VLEN është marrë vendimI që përfaqësuesit e saj në Qeveri të jenë figura që sjellin energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve.
Në përbërjen e re qeveritare vazhdojnë të ushtrojnë detyrën Bekim Sali si Zv/Kryeministër i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi si Ministër i Ekonomisë dhe Punës, si dhe Muhamet Hoxha si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor./Tv Koha/

Të fundit