28/03/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

SHBA mirëpret përpjekjet e Francës për të hequr veton bullgare, e gatshme për të lehtësuar kompromisin

Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Francës për të arritur një zgjidhje të suksesshme dhe mbeten të gatshme për të luajtur një rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit kur u pyet se si e komentuan propozimin e Parisit për të hequr veton e Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, ne shpresojmë që përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme.

Mirëpresim përpjekjet e Francës për të arritur një zgjidhje të suksesshme për fillimin e negociatave zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur. Negociatat janë ende në vazhdim dhe ne mbetemi të gatshëm të luajmë një rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit”, tha zëdhënësi.

Në deklaratë thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë hedhur themelet dhe se tani është koha për të ecur përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit.

“Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tërësisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen afatgjatë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara marrin parasysh “deklaratat e shumta të bëra nga liderët e BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe për sigurinë tonë kolektive”./Telegrafi/

Të fundit