05/10/2024
15.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shkollat pa salla sporti në Tetovë

Shkollat fillore me numër më të madh të nxënësve në qytetin e Tetovës vazhdojnë të funksionojnë pa sallë sporti. Nxënësit e këtyre shkollave orën e edukatës fizike e zhvillojnë në sallat e vjetra që janë ndërtuar para më shumë se 30 ose 40 vite dhe që aktualisht nuk kanë as kushte elementare për zhvillimin e edukatës fizike. Këto salla sportive nuk kanë pajisje elementare për orën e edukatës fizike, me dysheme të dëmtuar dhe pa rekuizita adekuate. Këtë e konfirmojnë edhe nga Komuna e Tetovës, prej nga presin që  shkollat më të mëdha në Tetovë – në katër vitet e ardhshme të kenë salla të reja sporti.

“Është fakt që pikërisht shkollat më të mëdha në qytetin e Tetovës nuk kanë salla sporti siç janë shkolla fillore ‘Naim Frashëri’, ‘Kirili dhe Metodi’, ‘Istikball’, ‘Liria’ dhe shkolla ‘Migjeni’. Në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kemi parashtruar kërkesë për ndërtimin e sallave të sportit, pasi sipas Ligjit për arsim fillor, investime kapitale bëhen nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe sipas një projekti që ka kjo ministri me Bankën Botërore, janë paraparë të ndërtohen katër salla sporti në Tetovë. Realisht kërkesën e kemi bërë për 5 salla sporti dhe tani presim proceduat dhe hapat që duhet t’i ndërmerr ministria. Sipas informatave që i kemi, të gjitha sallat sportive nuk do të mund të fillojnë njëherazi, por do të ketë dy faza – në fazën e parë bëhet ndërtimi i dy sallave, kur në fazat tjera vazhdohet me ndërtimin e sallave tjera”, deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës.

Kërkuam përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Prej atje konfirmojnë se prej vitit të ardhshëm pritet të ndërtohen edhe 28 salla sporti në më shumë komuna të vendit.

“Në lidhje me pyetjen tuaj për ndërtimin e sallave sporti në shkolla, ju njoftojmë se duke filluar nga viti 2025 e deri në tre vitet ardhshme – do të ndërtohen 28 salla shkollore të sportit në më shumë komuna të vendit. Në këtë drejtim janë të përfshirë edhe shkollat e komunës së Tetovës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Këto shkolla, edhe pse kanë numër më të madh të nxënësve (mbi një mijë nxënës) dhe janë ndër shkollat më të vjetra në Tetovë, megjithatë orën e edukatës fizike profesorët e zhvillojnë në salla të vjetra dhe pa asnjë kusht elementar. Duke përfshirë edhe vendbanimet rurale, shtatë shkolla fillore në Komunën e Tetovës nga gjithsej 12 sa janë – nuk kanë salla sporti.

Shkolla fillore “Migjeni” që është poashtu një nga shkollat me më shumë nxënës në Tetovës, megjithatë ende nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë sallë sportive. Gjithsej mësimin në këtë shkollë e ndjekin 1740 nxënës, por kur bëhet fjalë për orën e dukatës fizike, nxënësit e kësaj shkolle përveç oborrit nuk kanë se ku të zhvillojnë orën e edukatës fizike.Tv Koha

Të fundit