19/05/2024
19.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shkollat, “të pafuqishme” në adresimin e dhunës

“Djali është rrahur, është sulmuar fizikisht. Ka ardhur me hematoma në trup, të shkaktuara nga goditjet që i ka marrë nga shokët e klasës”.

Kështu tregon për Radion Evropa e Lirë Y.K., prind i një nxënësi 14 vjeç, që ndjek mësimet në një nga shkollat fillore të Prishtinës.

Duke mos dashur të identifikohet me emër të plotë, ajo thotë se fëmija i saj, “me dhjetëra herë”, ka qenë viktimë e dhunës fizike të ushtruar nga shokët e klasës.

“Unë lutem çdo ditë që fëmija im të vijë shëndosh e mirë nga shkolla. Rri me frikë se mund t’i ndodhë diçka”, thotë Y.K.

Nga Policia e Kosovës konfirmojnë se në shkollat fillore ka shpesh dhunë mes nxënësve, e cila ndodh që përfundon me lëndime të rënda trupore, apo edhe në mënyrë fatale.

Radio Evropa e Lirë ka arritur t’i sigurojë disa video, ku nxënës të disa shkollave në Prishtinë shihen duke grushtuar njëri-tjetrin në kokë dhe në trup, por ka zgjedhur të mos i publikojë për shkak të pamjeve të ndjeshme.

Në Këshillin e Prindërve pranojnë se një pjesë të fajit për këtë e bart ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme online.

A e teprojnë fëmijët me përdorimin e telefonave?

Dhuna përsëritet

Y.K. thotë se e ka lajmëruar rastin e djalit të saj në disa instanca – nga kujdestarja e klasës deri te drejtoria e shkollës – por se dhuna është përsëritur.

“Shkolla është e pafuqishme në zgjidhjen e këtyre problemeve të dhunës fizike të ushtruar mes nxënësve”, thotë Y.K.

Ajo shton se çështja duhet të adresohet në nivele edhe më të larta – qoftë deri në Kuvend.

Për këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi Drejtorinë për Arsim të Komunës së Prishtinës, e cila është kompetente për menaxhimin dhe koordinimin e strukturës së arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

Të dhënat që siguroi REL-i nga Policia e Kosovës, tregojnë se numri i incidenteve në shkolla dhe përreth tyre është në rritje nga viti në vit.

Ato variojnë nga lëndimet e lehta trupore deri te kanosjet e sulmet.

Demi: Fëmijët në “mëshirë” të fatit

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Kosovë, Jeton Demi, e cilëson si “alarmante” dhunën fizike mes nxënësve në shkollat fillore.

Ai pranon se prindërit duhet të luajnë rol më të madh në adresimin e kësaj çështjeje, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e pajisjeve teknologjike dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dhunshme.

Sipas tij, mungesa e kontrollit në këtë aspekt çon në sjellje të dhunshme dhe bullizëm.

“Meqë familjet në shumicë nuk i ndihmojnë fëmijët për t’u përballur me të gjitha këto ngacmime nga ambienti i jashtëm, e në anën tjetër institucionet, përgjithësisht, nuk kanë ndonjë plan konkret e as kapacitete të duhura për ta trajtuar këtë situatë, fëmijët janë në ‘mëshirë’ të fatit”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë bëjnë shkollat?

Jehona Oruqi, drejtoreshë në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion, tash e dy vjet, realizon aktivitete të ndryshme që kanë në fokus parandalimin e dhunës.

Ajo thotë se në këtë vit shkollor, në shkollën e saj nuk ka pasur ndonjë rast të dhunës fizike mes nxënësve.

“Është shqetësuese dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe ne kemi filluar me projektet tona për parandalimin e kësaj dukurie. Në momentin që kemi ndonjë informatë për dhunë apo lojëra të dhunshme, ne i aktivizojmë mekanizmat që i kemi brenda shkollës”, thotë Oruqi.

Ajo shpjegon se shkolla ka këshillin disiplinor dhe këshillin e nxënësve, të cilët mbajnë fokus-grupe me nxënës dhe aktivitete vetëdijesuese kundër dhunës.

Nga Ministria e Arsimit e Kosovës kanë thënë më herët për REL-in se në shkolla ekziston protokolli për siguri, që e sanksionon dhunën.

“Instancat e ministrisë kanë kërkuar posaçërisht nga prindërit, por edhe psikologët e shkollave, që të merren më tepër me fëmijët dhe të jenë më të qasshëm në veprimtarinë e tyre, në daljet e tyre në rrugë ose kudo ku shkojnë ata”, kanë thënë nga kjo ministri.

Çfarë bën Qendra për Punë Sociale?

Në Qendrën për Punë Sociale trajtohen rastet më të rënda të dhunës fizike që ndodhin në shkollat fillore në Prishtinë, e që nuk mund të zgjidhen brenda institucionit shkollor.

Nga afro 500 raste të natyrave të ndryshme që kjo qendër ka trajtuar në vitin 2022, rreth 70 për qind e tyre kanë pasur të bëjnë me dhunën në shkolla.

“Pothuajse çdo ditë kemi nga një intervenim në rastet e dhunës dhe veprave tjera që ndodhin në shkollat tona”, thotë drejtori Vebi Mujku.

Për parandalimin e kësaj dukurie, ai thotë se duhet të angazhohen edhe prindërit.

“Prindërit nuk bëjnë kontrolle të mjaftueshme ndaj fëmijëve të tyre, nuk bëhet kontrollimi i çantave, xhepave… Kemi dhënie të parave pa kontroll”, thotë Mujku.

Sipas tij, ka raste kur nxënësve që kanë sjellje të dhunshme ndaj nxënësve të tjerë në klasë, u ndërrohet klasa apo edhe shkolla.

Pse bullizohen ose ngacmohen fëmijët?

Në një sondazh që ka realizuar organizata Save the Children Kosova në vitin 2021, 35 për qind e fëmijëve të anketuar kanë thënë se janë ndier të bullizuar ose të ngacmuar për shkak të pamjes së jashtme, aftësisë së kufizuar, religjionit, orientimi seksual, statusit ekonomik dhe arsye të tjera.

Kanarina Shehu Efendija nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se këto të dhëna janë shqetësuese.

Sipas saj, është e domosdoshme që të rritet përdorimi i Sistemit për Menaxhimin e Informatave në Arsim, përmes të cilit synohet që të rritet raportimi dhe referimi i rasteve të dhunës në shkolla, si dhe trajtimi i tyre përmes bashkëpunimit ndërinstitucional.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar para disa muajsh edhe për sulme me thika në shkolla, si pasojë e të cilave një nxënës 14 vjeç ka humbur jetën në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë.evropaelire.org

Të fundit