Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion po zhvillon një procedurë paraprake pas një kallëzimi penal anonim, të nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”, për dyshime mbi marrjen e të dhënave nga sistemi kompjuterik në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion me muaj të tërë ka pritur përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e mundshëm të zbulimit të sekreteve shtetërore dhe aktiviteteve spiunuese në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Edhe pse që në dhjetor të vitit të kaluar ishte hapur procedura paraprake dhe ishin ndërmarrë disa veprime hetimore, prokurorja kompetente, Katerina Kolareviq, e cila këto ditë është në qendër të vëmendjes edhe për rastin e mazutit, ende nuk ka marrë rezultatet përfundimtare nga analizat e pajisjeve kompjuterike dhe telefonike të sekuestruara, si dhe pamjet video nga kamerat e sigurisë brenda dhe përreth kabinetit të presidentes.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bëjnë të ditur se lënda është formuar më 18 dhjetor 2025, pas një njoftimi nga MPB – Sektori për Krim Kompjuterik, dhe ka të bëjë me një ngjarje të 24 nëntorit të po atij viti dhe me “indikacione për aktivitete të palejuara me interes të lartë shtetëror”.
Pse MPB po e zvarrit këtë hetim për spiunazh të dyshuar, për momentin nuk kanë përgjigje as Prokuroria, e cila ka kompetencë të arrestojë përgjegjësit në Ministri, por as ministri Pançe Toshkovski.
Ndryshe, Prokuroria ka nisur procedurën paraprake pas pranimit të një kallëzimi penal anonim, të nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”, për dyshime mbi marrjen e të dhënave nga sistemi kompjuterik në kabinetin e presidentes. Sipas kallëzimit, janë kopjuar dhe enkriptuar të dhëna, pra janë koduar në një kod sekret për të përfunduar gjoja te shërbime të huaja inteligjente. Nën dyshim është një administrator IT në kabinetin presidencial, i cili dyshohet se ka qenë i lidhur me një shërbim të huaj inteligjent./Tv Koha/







