Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, zhvilloi një takim pune me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Fisnik Mela.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat e përbashkëta mes dy institucioneve, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me fokus në forcimin e kontrollit fiskal dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave.
Dauti dhe Mela theksuan rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për të lehtësuar proceset për komunitetin e biznesit, si dhe për të luftuar ekonominë joformale dhe dukuritë korruptive.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe ndërtimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet Doganës dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në funksion të një administrate më efikase dhe moderne në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.(INA)







