25/07/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tragjedia në Tetovë/ Sot afati i fundit për dorëzimin e hetimeve në gjykatë

“Pas më shumë se dhjetë muajsh, sot, më së voni nesër, pritet që lënda për djegien e modularit këtu në Tetovë, të dorëzohet në gjyq në Tetovë, pas çka do të ndahet gjykatësi dhe do të fillojë procedura”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Sipas informatave të televizionit Alsat brenda prokurorisë, të dyshuar për zjarrin në modularin e Tetovës janë 4 persona.

Lënda në gjyqin e Tetovës dorëzohet pas hetimeve të kryera nga pesë prokurorët e vendit, si dhe hetimin e ekspertëve gjermanë. Sipas informatave të televizionit Alsat, lënda për momentin ndodhet në prokurorinë e Tetovës.

Procedura zvarritet me muaj të tërë edhe pse kryeprokurori Lubomir Jovevski, në një deklaratë për Alsat pati paralajmëruar se ndjekja penale ndaj shkaktarëve të tragjedisë është çështje ditësh.

Për djegien e modularit në Tetovë, gjatë procedurës hetimore janë thirrur mbi 30 mjekë dhe infermiere, që kanë qenë të angazhuara në qendrën COVID të Tetovës natën e kobshme kur modulari u përfshi nga flakët, ndërsa jetën e humbën 14 persona.

Janë thirrur edhe dëshmitarë okularë, por edhe familjarë që janë ofruar vetë për të dhënë dëshmitë e tyre. Në 8 shtator të vitit të kaluar spitali modular i Tetovës, ku po trajtoheshin 26 pacientë, u bë shkrumb.

Pas ngjarjes ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani dhanë dorëheqje, por të njëjtat nuk u pranuan nga ish kryeministri Zoran Zaev. Dorëheqje dhanë edhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe drejtori ekonomik Artan Etemi.

Të fundit