12/10/2024
13.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ulet papunësia po, por ulet për shkak të migrimit nga vendi

Gjatë vitit që kaloi vërehet një ulje e numrit të të pa punëve në Komunën e Dibrës. Nëse bëhet një krahasim me vitet e kaluara, numri i të punësuarve të rinj është dukshëm më i vogël. Por, duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike që erdhi pas pandemisë Kovid 19, mund të thuhet se punësimet janë në nivelin objektiv. Gjatë vitit që kaloi janë realizuar afro 300 punësime, theksojnë përfaqësuesit të njësisë të Agjencisë për Punësim në Dibër. Gjatë vitit 2022, numri i të papunëve në Komunën e Dibrës ishte 2374, thotë udhëheqësi i kësaj njësie në Dibër, Muharem Imeroski.

Sipas tij, në krahasim me vitin 2021, ka një ulje të numrit të të papunëve meqë gjatë vitit kanë qenë të papunë 2640. Duke marrë parasysh situatën e përgjithshme ekonomike në komunën e Dibrës mund të thuhet se punësimi i afro 300 personave është një numër objektiv, thotë Imeroski dhe shton se punësime ka patur si në sektorin e biznesit ashtu edhe në sektorin e arsimit administratës, etj. Po sipas tij, ka patur punësime në sferën e biznesit në përputhje me projektet e Agjencisë për Punësim. Projektet të Agjencisë kanë dhënë rezultate, thotë Imeroski.

Kur bëhen analiza të punësimeve gjatë vitit 2022 duhet theksuar se punësimet kryesisht janë në sferën e administratës, arsimit, por edhe në sferën e biznesit. Pothuajse në të gjithë shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Dibrës kanë patur punësime si të kuadrit arsimor ashtu edhe të kuadrit teknik. Në sferën e administratës punësime kanë patur në njësitë të ministrive që funksionojnë në Dibër. Por, duhet potencuar edhe faktin se një numër i theksuar i punësimeve është realizuar në kompani më të suksesshme të vitit 2022 në Dibër “Slice Macedonia”.

Është një kompani, e cila në kontinuitet realizon punësime meqë është një kall qendër që kryesisht punon për tregun amerikan. Investitori i kësaj kompanie, dibrani Ilir Sela, jep një kontribut shumë të madh në punimin e të rinjve të cilët kryesisht janë njohës të mirë të gjuhës angleze. Kompania në fjalë e cila ka njësi në Dibër, Ohër dhe Shkup ka një konkurs të hapur dhe bën punësime shumë domethënëse. Poashtu punësime janë bërë edhe në biznesin e rrjetit tregtar, ndërtimor etj, por në numër minimal.

Kur bëhet fjalë për numrin e të papunëve dhe uljen e numrit të tyre nga viti 2021 në vitin 2022, patjetër duhet theksuar edhe argumentin që një pjesë e të papunëve kanë migruar. Janë të rinj, të cilët duke pritur punë disa vite me radhë, kanë vendosur të braktisin Dibrën dhe të punësohen disa në Shkup, por shumë të tjerë jashtë vendit kryesisht në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Austri. /koha/

 

Të fundit