Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, përgjegjësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare Doc. Dr. Hatibe Dehari Zeqiri, koordinatorja universitare për Erasmus +, Mr. Sc. Shpresa Ademi si dhe shefja e kabinetit të Rektorit Valmisa Novi, pritën në takim Sekretarin gjeneral të Universitetit “Necmettin Erbakan” nga Turqia prof. Husezin Yahit Selvi.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, marrëveshje kjo e cila ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit në fushat e arsimit dhe hulumtimit shkencor.
Po ashtu marrëveshja parasheh edhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe pilot-projekteve; shkëmbim të stafit hulumtues dhe të mësimdhënësve; shkëmbim të studentëve; organizim të seminareve, konferencave, punëtorive të përbashkëta; shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve të tjera për qëllime kërkimi dhe arsimimi.
Gjatë këtij takimi po ashtu u prezantua edhe Atlasi i Maqedonisë së Veriut për nxënësit e shkollave fillore, i punuar nga ish-studenti i Universitetit të Tetovës Edmond Jonuzi, i cili nëpërmjet programit Erasmus + ka ndjekur studime njësemestrale në një universitet nga Republika e Turqisë. Punën hulumtuese në përpilimin e këtij atlasi e ka mentoruar prof. Husezin Yahit Selvi i cili tha se ky material do ta kompensojë mungesën e atlaseve për nxënësit e shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut.