01/10/2022
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vizita historike e Biden në Arabinë Saudite, çfarë pritet të vendoset për naftën dhe të drejtat e njeriut

Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti dje pasdite në Arabinë Saudite, ku u takua me Mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.

Avioni presidencial u ul në Jeddah, në Arabinë Saudite perëndimore, nga Izraeli, fluturimi i parë direkt nga ai vend në një kohë kur Uashingtoni po kërkon të normalizojë marrëdhëniet midis dy partnerëve të tij më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan nuk u prit në aeroport nga homologët e tij, por nga sundimtari i Mekës, Princi Khaled al-Faisal dhe Princesha Rima Bandar al-Saud dhe nga ambasadorja saudite në Uashington.

Megjithatë, pak minuta më vonë, ai shkoi në pallat ku u përshëndet me nga princin me shtrëngim duarsh me mbreti Salman dhe me grusht me princin e kurores.

Pas takimit me mbretin Salman, Biden do të zhvillojë bisedime me Princin Mohammed për një sërë çështjesh nga nafta te armët.

Zyrtarët amerikanë thanë më herët se presidenti amerikan do të diskutojë gjithashtu çështjen e të drejtave të njeriut.

Takimi i Biden me princin e kurorës është pika kryesore e këtij turneu në Lindjen e Mesme, teksa SHBA-të përpiqen të bindin Arabinë Saudite të hapë çezmat e prodhimit të naftës.

Synimi është ulja e çmimit të benzinës me afrimin e zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor.

Takimi me Presidentin Biden mund t’i japë një legjitimitet më të madh planeve të princit të kurorës dhe synimeve të tij drejt fronit bretëror.

Ka pasur spekulime të konsiderueshme se si zoti Biden do ta trajtonte vizitën në Arabinë Saudite, qoftë nga pikëpamja e jashtme ashtu edhe për nga thelbi i saj, ndërsa në cilësinë e kandidatit për president, ai e ka kritikuar këtë vend lidhur me qasjen ndaj të drejtave të njeriut.

I pyetur nëse zoti Biden do të shtrëngonte duart me princin e kurorës, një zyrtar i lartë i administratës vuri në dukje se Shtëpia e Bardhë është “e përqendruar tek takimet, jo tek përshëndetjet”.

Vitin e kaluar, administrata Biden lejoi publikimin e një raporti të zbulimit amerikan që përcaktonte se princi i kurorës kishte të ngjarë të kishte miratuar vrasjen e gazetarit Khashoggi. Publikimi i raportit shkaktoi një krisje të mëtejshme në marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite, raporton abcnews.al./

“Pikëpamjet e mia mbi (çështjen) Khashoggi kanë qenë absolutisht të qarta. Dhe kurrë nuk kam heshtur për sa i takon të drejtave të njeriut”, ka thënë zoti Biden. “Arsyeja pse po shkoj në Arabinë Saudite është shumë më e gjerë. Është për të mbështetur interesat e SHBA-ve, në një mënyrë që sipas mendimit tim e kemi bërë gabim, duke u hequr dorë: nga ndikimi ynë në Lindjen e Mesme”.

Zoti Biden mbërriti në qytetin-port të Detit të Kuq, Jeddah, në ditën e tretë të një udhëtimi katër-ditor në Lindjen e Mesme. Në dy ditët e para ai u takua me zyrtarë izraelitë dhe udhëtoi në Bregun Perëndimor të premten për t’u takuar me Presidentin e autoritetit palestinez Mahmoud Abbas dhe të tjerë zyrtarë përpara se të nisej për në Arabinë Saudite.

Autoritetet saudite ndërmorën një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin përpara vizitës së zoti Biden, duke njoftuar të premten herët në mengjes, se kishin hapur hapësirën ajrore për të gjithë avionët e Izraelit, duke sinjalizuar fundin e kufizimeve të rrepta për fluturimet e tij mbi territorin e mbretërisë.

Biden e përshëndeti vendimin si “një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rajoni më të integruar dhe më të qëndrueshëm në Lindjen së Mesme”. Ai shtoi se vendimi “mund të ndihmojë në krijimin e momentit të duhur drejt integrimit të mëtejshëm të Izraelit në rajon, duke përfshirë Arabinë Saudite”.

Përpara se të kthehet në Uashington zoti Biden do të marrë pjesë në një takim të shtunën të udhëheqësve të Këshillit të Bashkëpunimit të vendeve të Gjirit – Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Egjipti, Iraku dhe Jordania.

Vizita në Arabinë Saudite është një nga më delikatet me të cilat është përballur Presidenti Biden në skenën ndërkombëtare. Çdo sinjal respekti mes zotit Biden dhe princit saudit të kurorës, mund t’i ndihmojë të dyja palët të qetësojnë marrëdhëniet./abcnews.al/

Të fundit