22/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë, thotë Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ekspozitën “Bebëzat e mallit” dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta, ka thënë se vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë, ndërsa ka shtuar se institucionet kosovare e kanë obligim që të mos harrojnë kurrë krimet e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë. Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë”, ka shtuar ai, sipas njoftimit për shtyp të Qeverisë së Kosovës.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Të fundit