15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zbulohet naftë në Shqipëri, Rama: Ka cilësi si ajo e Arabisë Saudite! Investimi total 7 miliardë euro

Në Shqipëri kompania shumëkombëshe Shell, ka mbyllur fazën e kërkimeve në vendburimin e Shpiragut, dhe pritet që në muajin tetor të nisë testin final nga rezultatet e të cilit do të varet nëse do të vijohet me operacionet e nxjerrjes së naftës dhe gazit.

Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama, sipas të cilit cilësia e naftës së zbuluar është e niveleve më të larta. Rama tha se nëse gjithshka do të shkojë pozitivisht, atëherë ky zbulim mund të ketë sipas tij, një ndikim historik në zhvillimin ekonomik por dhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë.

Një ditë pas vizitës së tij në një nga puset e shpimit në zonën e Shpiragut ku prej disa vitesh shumëkombëshja britanike Shell po kryen kërkime për naftë dhe gas, kryeministri Edi Rama tha sot procesi është një hap larg konfirmimit për vijimin ose jo të operacioneve për nxjerrjen dhe më pas tregtimin. Në muajin tetor pritet të nisë testimi final për të vlerësuar qëndrueshmërinë presionit të fluksit të naftës e për pasojë leverdinë finaciare të të gjithë operacionit të mëtejshëm.

“Rezerva është aty në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva, pas një eksplorimi shumë të vështirë për shkak të formacionit gjeologjik të zonës dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave si rezultat i formacionit gjeologjik. Lajmi interesant është që ende nuk është cekur uji, i cili është nën rezervën, çka prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë edhe më madhe. Nuk jemi në kushtet kur mund të flasim për shifra konkrete sepse do të ishte e gabuar”, deklaroi Rama.

Kryeministri bëri të ditur, se analizat e bëra nga kompania kanë treguar se bëhet fjalë për një naftë të një cilësie shumë të lartë, të krahasusehme me atë premium të Arabisë Saudite, dhe nëse rezultatet e testimit që pritet të përfundojnë, maksimumi deri në dy javët e para të janarit, janë pozitive, atëherë, sipas kryeministrit bëhet fjalë për një “zbulim të rëndësishëm i cili mund të ketë një ndikim historik në zhvillimin ekonomik, social, por jo vetëm kaq, edhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë”.

Nga pikëpamja ekonomike, vetëm investimi i kompanisë për infrastrukturën dhe logjistikën llogaritet të nisë me 3 miliardë euro. E shtrirë në vite kjo vlerë, sipas vetë kompanisë mund të shkojë në 7 miliardë. Edhe përfitimet direkte të Shqipërisë pritet të jenë në nivele shumë të larta, aq sa qeveria, siç u bë e ditur sot, ka nisur përgatitjet për ngritjen e një Fondi sovran, sipas modelit të vendeve që kanë burime të konsiderueshme nafte.

“Nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran, ashti siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, me naftën në Arabinë Saudite, në Azerbajxhan dhe kudo tjetër”, shpjegoi zëvendëkryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Një pjesë e të ardhurave parashikohet të shkojnë për fondin e pensioneve, për investime në arsim apo shëndetësi, ndërsa një pjesë do të përdoret për t’u investuar në tregje brenda dhe jashtë vendit për t’a rritur më tej portofolin e Fondit Sovran.

Të fundit