Agjencia Informative Mediatike – MIA, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të punojë në bazë të parimeve programore – në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të balancuar dhe në përputhje me Kodin gazetaresk.
MIA për aktivitetet zgjedhore të pjesëmarrësve në zgjedhje do të raportojë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Agjencia Informative Mediatike në kuadër të mundësive të saj dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe politikën redaktoriale, do të raportojë me tekst, foto dhe video për aktivitetet e kandidatëve, partitë politike dhe për koalicionet që marrin pjesë në fushatën zgjedhore mbi baza të listave të kandidatëve që i ka përcaktuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
MIA vazhdimisht do ta përcjellë dhe do të raportojë për punën e KSHZ-së.
MIA do t’i publikojë të gjitha listat zgjedhore, si dhe vendimet e Gjykatës Administrative lidhur me aktivitetet zgjedhore.
MIA në kuadër të mundësive të saj do t’i paraqesë programet e kandidatëve, partive politike dhe të koalicioneve. Më gjerësisht, me tekst, foto dhe video do të informojë për aktivitetet fillestare dhe përfundimtare të pjesëmarrësve në zgjedhje. Aktivitetet tjera të pjesëmarrësve në zgjedhje do t’i përcjellë në përputhje me standardet profesionale të agjencisë.
MIA gjatë informimit të aktiviteteve zgjedhore, do të mbajë llogari nëse përfaqësuesit e shtetit paraqiten në emër të institucioneve që ata përfaqësojnë ose në emër të partisë së tyre. Nëse në fushatë ndonjëherë mbizotërojnë pasionet politike dhe ka deklarata të pamatura, raportimi i MIA-s do të jetë profesional dhe në nivel të pranueshmërisë.
MIA do të publikojë parashikimet e zgjedhjeve dhe sondazhet e opinionit publik, në të cilat theksohet qartë se kush i ka porositur, kush i ka zbatuar, cili është ekzemplari, nëse është anketim telefonik ose në terren dhe cili është gabimi i mundshëm i ekzemplarit. Sondazhe pa etiketa metodologjike dhe pa një ekzemplar reprezantues nuk do të merren në konsideratë. Konform rregulloreve ligjore, sondazhet do të publikohen më së voni pesë ditë para ditës së votimit.
MIA në ditën e zgjedhjeve, do t’i publikojë deklaratat e përfaqësuesve të shtetit dhe të liderëve të partive, me logon për mediat – EMBARGO PËR PUBLIKIM DERI NË ORA 21.
Lajmet më të rëndësishme për aktivitetet zgjedhore dhe rezultatet e zgjedhjeve do të transmetohen edhe në servisin anglez të MIA-s. mb/