Zëvendësministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Driton Sulejmani, njëkohësisht edhe zëdhënës i koalicionit VLEN, ka garantuar se studentët shqiptarë do të kenë mundësinë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “3D” me Alban Dudushi, ai tha se qeveria ka marrë përsipër zgjidhjen e problemit pas protestës së parë të studentëve.
“Nuk është çështja e protestave, por qeveria, pas protestës së parë, ka marrë përsipër zgjidhjen e problemit me të cilin ballafaqohen studentët shqiptarë në fakultetet juridike. Studentët kanë zhvilluar një takim edhe me Zëvendëskryeministrin e Parë, Bekim Sali, si dhe me dy bashkëkryetarët e ‘VLEN’. Në kuadër të kësaj është krijuar një komision nga qeveria me ekspertë, të cilët janë duke gjetur një zgjidhje ligjore, që më në fund studentët shqiptarë të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, deklaroi Sulejmani.
Ai sqaroi se kjo nuk është një problematikë e re, por një situatë e përsëritur ndër vite.
“Kjo nuk është një problematikë që ka lindur sot, por të gjithë studentët shqiptarë që kanë përfunduar këtë fakultet, që nga koha e pavarësimit e deri më sot, provimin e jurisprudencës e kanë dhënë në gjuhën maqedonase”, tha ai.
Zëvendësministri akuzoi ish-ministrat e Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) se po fshihen pas protestave.
“Fatkeqësisht, pas kësaj proteste fshihen ish-ministra të BDI-së, sepse nuk janë në gjendje të organizojnë vetë protesta, nuk kanë kredibilitet dhe kanë gjetur një mundësi për t’u fshehur pas tyre”, u shpreh Sulejmani.
Duke i garantuar studentët shqiptarë, ai shtoi se puna e qeverisë nuk kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës.
“Ne po punojmë jo vetëm për provimin e jurisprudencës, por jemi duke gjetur edhe zgjidhje për provime të tjera profesionale që aktualisht zhvillohen vetëm në gjuhën maqedonase”, përfundoi ai.







