27/04/2024
7.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

10.8 milion euro ndihmë për komunat për zhvillimin e shërbimeve sociale

Gjithsej 10,8 milionë euro janë vendosur në dispozicion të komunave të vendit për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal për pesë vitet e fundit, kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Nga Ministria u bëjnë thirrje komunave të paraqesin interes dhe të aplikojnë për grante dedikuar për shërbime të drejtpërdrejta sociale, asistencë individit apo familjes, kujdes shtëpiak, asistencë personale, kujdes ditor, kujdes i përkohshëm, shtëpi të vogla grupore, qendra ditore dhe shërbime për jetesë me mbështetje dhe shërbime tjera inovative në bashkësi.

Me “Projektin për përmirësimin e shërbimeve sociale” MPPS e zhvillon dhe përmirëson cilësinë e shërbimeve sociale në bashkësitë lokale, sipas nevojave të qytetarëve dhe qasjes në shërbimet sociale të dedikuara për grupet e rrezikuara të qytetarëve, të moshuarit, persona me aftësi të kufizuara dhe të tjerët. Qëllimi është që këto shërbime të zhvillohen nga vetëqeverisjet lokale ose në partneritet me ofruesit e tjerë të shërbimeve. Mjetet e grantit do të dedikohen për krijimin e shërbimit dhe financimin e shërbimit për çdo shfrytëzues me çmim të konfirmuar të shërbimit në 12 muajt e ardhshëm, informojnë nga Ministria.

Në kuadër të projektit, siç theksohet, është siguruar asistencë teknike për komunat për vlerësimin e nevojave dhe kërkesave për shërbime sociale në nivel lokal në periudhën derisa zgjat thirrja për të shprehur interes. Komunave që do të shprehin interes për marrjen e grantit për zhvillimin e shërbimeve sociale, do t’u sigurohet asistencë e drejtpërdrejtë për përgatitjen e dokumenteve për aplikim, përfshirë edhe propozim-projektin nga ana e ekspertëve të angazhuar në kuadër të projektit.

Thirrja tashmë është publikuar në gazetat e përditshme dhe në ueb faqen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale www.mtsp.gov.mk (projekt për përmirësimin e shërbimeve sociale), ku është edhe formulari për paraqitjen e interesit. Afati i fundit për shprehjen e interesit për të marrë grante është 31 tetori, theksojnë nga Ministria.

Të fundit