23/05/2022
14.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutë për mbrojtje të civilëve në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila kërkon mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe ndaljen e menjëhershme të luftës.

Rezoluta, e cila është miratuar më 24 mars në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka siguruar 140 vota në të mirë të saj nga 193 në total, transmeton REL.

Katër shtete – Siria, Bjellorusia, Koreja Veriore dhe Eritrea – i janë bashkuar Rusisë me votë kundër dhe 38 shtete kanë abstenuar.

Rezoluta “kërkon ndalje të menjëhershme të armiqësive nga Federata Ruse kundër Ukrainës, në veçanti për sulmet kundër civilëve apo objekteve civile”.

Në të kërkohet edhe mbrojtja e civilëve, stafit mjekësor, punëtorëve për ndihma dhe gazetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka konsideruar pushtim rus në Ukrainë si “luftë absurde”, e cila ka lënë të vdekur mijëra njerëz, ka shkatërruar shtëpi, ndërtesa dhe ka krijuar miliona refugjatë.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, mirëpo kanë peshë politike.

Një rezolutë e ngjashme jodetyruese është miratuar edhe më 2 mars, në të cilën i kërkohet Rusisë që të ndalë përdorimin e forcës.

Ajo rezolutë është miratuar me 141 vota.

Ukraina dhe vendet aleate kanë akuzuar Moskën se është duke shënjestruar civilët pa dallim dhe është duke shënjestruar objektet ku po strehohen njerëzit.

Moska mohon diçka të tillë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës

Të fundit