26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Drejtues të UT-së morën pjesë në Kongresin ndërkombëtar në Bukuresht

Javën e kaluar, prej 12-15 tetor 2022, Universiteti i Bukureshtit ishte nikoqir i Kongresit ndërkombëtar, me temë: “Dialogu dhe bashkëpunimi në rajonet e Detit të Zi dhe Ballkanit”. Ky kongres i bëri bashkë dy organizatat më të mëdha akademike të rajoneve në fjalë, përkatësisht BSUN-Rrjetin e Universiteteve të Detit të Zi dhe BUA-Asociacionin e Universiteteve Ballkanike.

Universiteti i Tetovës është njëri nga nismëtarët dhe themeluesit e BUA-së, rrjet ky që sot numëron gati 80 universitete anëtarë. Kongresi trajtoi çështje të rëndësishme në lidhje me bashkëpunimin mes dy rajoneve, duke marrë parasysh kontekstin kompleks në të cilin ndodhën këto dy rajone. Po ashtu, trajtoi edhe domosdoshmërinë për ndërkombëtarizimin e universiteteve, duke prezantuar para auditorit strategjitë, përvojat dhe mjetet e përbashkëta, që synojnë zhvillimin e arsimit të lartë të bazuar në vlera të shëndosha.

Nga Universiteti i Tetovës në këtë veprimtari arsimore-shkencore morën pjesë, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe përgjegjësi i Zyrës për Shkencë dhe Inovacion, Prof. Dr. Agon Memeti.

Prorektori Shehu referoi mbi sfidat e ndërkombëtarizimit të universiteteve, duke shpalosur përvojat e Universitetit të Tetovës. Drejtuesit e Universitetit tonë, po ashtu morën pjesë edhe në seancën e rregullt të Asamblesë së përgjithshme të BUA-së.

Në kuadër të punimeve të Kongresit, Prorektori Shehu nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Bukureshtit, të përfaqësuar nga Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Mugur Dan-Zlotea.

Të fundit