27/04/2024
7.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Edukimi mediatik edhe në fokus të SHBA-ve, mënyra e vetme për mbrojtje nga sulmet e (pa)pritshme!

 Mediat janë mjete informimi, por nuk janë vetëm kaq, sepse funksioni i tyre në shoqëri është shumë më i gjërë se informimi. Mediat krahas informimit, luajnë rol të jashtëzakonshëm edhe në edukimin e publikut, argëtimin, dhe kritikën objektive ndaj pushtetit. Edukimi mediatik e përforcon rezistencën demokratike të shoqërisë prej ndikimeve malinje, u potencua në Konferencën e sotme për komunikime strategjike “Edukimi mediatik dhe përballja me dezinformatat – gatishmëria e institucioneve për mbrojtje nga ndikime hibride” në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në vend në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me SHBA – Karta e Adriatikut. Mungesa e edukimit të mirëfilltë mediatik prodhon terren të përshtatshëm për infodemi, si dhe shndërrimin e mediave vetëm në kompani komerciale që në rend të parë dhe të fundit kanë përfitimin. Ndërkaq, se çfarë në realitet bëhet përmes edukimit mediatik, kemi të bëjmë me analizë e teksteve mediatike si dhe zhvillim të gjykimit në lidhje me këndvështrimet apo mendimet e përdorura në media. Dhe, kjo orienton publikun drejt vlerave dhe të pasurimit të mendimit objektiv, shkruan Zhurnal.

Edukimi mediatik e përforcon rezistencën demokratike nga ndikimet e dëmshme –

Edukimi mediatik e përforcon rezistencën demokratike të shoqërisë prej ndikimeve malinje, u potencua në Konferencën e sotme për komunikime strategjike “Edukimi mediatik dhe përballja me dezinformatat – gatishmëria e institucioneve për mbrojtje nga ndikime hibride” në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në vend në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me SHBA – Karta e Adriatikut.

Siç kumtoi MPJ, konferenca filloi me fjalimin hyrës të Sekretarit të Shtetit në MPJ, Filip Tosevski dhe të Augusta Filibin nga Ambasada e SHBA-së në Shkup. Në Konferencën në fjalë, në kuadër të tri sesioneve, me pjesëmarrjen e ekspertit të njohur amerikan Endi Karvin, përfaqësues i Departamentit të NATO-s për Diplomaci Publike, si dhe ekspertëve të shumtë vendas me renome, përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe vëzhguesve të SHBA-Karta e Adriatikut, organizatat mediatike dhe shoqëria civile debatuan dhe shkëmbyen mendimet dhe praktikat më të mira për ballafaqimin me kërcënimet hibride dhe dezinformimin.

“Rëndësia e edukimit mediatik u theksua veçanërisht si një nga mjetet që përmes sistemit arsimor kontribuon në ndërtimin e një shoqërie me qytetarë që janë në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike, të analizojnë dhe vlerësojnë informacionin që u shërbehet dhe në këtë mënyrë të forcojë rezistencën demokratike të shoqërisë ndaj ndikimeve të ndryshme malinje” qëndron në kumtesë.

Ministria e Punëve të Jashtme, shtohet, do të vazhdojë me aktivitetet për ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e rrezikut, por njëkohësisht tregon gatishmërinë dhe vullnetin e saj për ballafaqimin me të gjitha sfidat që dalin nga kërcënimet hibride. Kujtojmë që, në janar të vitit 2023, Maqedonia e Veriut mori kryesimin me SHBA-Karta e Adriatikut, kur edhe po shënohet njëzet vjetori i nënshkrimit të saj.

Duhet edukim të posaçëm mediatik për të identifikuar “lajmet e rreme”-

Mediat që i përmbahen parimeve të punës profesionale kanë një rol të madh në paraqitjen e së vërtetës, dhe ky mbase është roli kryesor i tyre. Dhe, duke mbajtur qëndrime të tilla disa media të caktuara në vend do të jenë dritare verifikimi për secilin lajm që plasohet në opinion dhe për të cilin ka hamendësi, qytetarët do të kenë ku të futen për të  kuptuar nëse kemi të bëjmë me të vërtetë apo është një dezinformim.

“Njerëzit duhet të dinë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Pa përfshirjen aktive të mediave profesionale në luftën kundër dezinformimit, por edhe të të gjithë atyre që mund të ndihmojnë, si p.sh. institucionet arsimore dhe sektori civil, të vetmit që do të flasin do të jenë ata që kanë ndonjë interes apo motivi në krijimin dhe ndarjen e përmbajtjeve të tilla. Sigurisht që i rëndësishëm është edhe roli i institucioneve në informimin në kohë të publikut. Të mos harrojmë se dezinformimi do të ekzistojë për aq kohë sa është “fitimprurëse” të gënjesh”, thotë në një prononcim për “Fokus” Marina Tuneva, eksperte e mediave.

Të njëjtin mendim ndan edhe Vladimir Petreski, redaktor i Shërbimit të Kontrollit të Fakteve të Medias. Ai thotë se nëse vërehet një pretendim i egër, fillimisht duhet të kontrollohet nëse është publikuar diçka për të.

“Para së gjithash, kontrolloni nëse mediat kanë publikuar diçka në lidhje me të, nëse është e nevojshme dhe bëni durim, ato janë shumë më të pozicionuara për një informacion të tillë, nëse institucionet kanë deklaruar, sesa ndonjë profil i panjohur (ose i njohur) në rrjetet sociale. Bëni kontrollin tuaj dhe më në fund shikoni nëse Vistinemer.mk tashmë i ka kontrolluar faktet që fshihen pas një pretendimi kaq tronditës që të mos jeni ju pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes”, thotë Petreski.

Por, në përgjithësi është më së e nevojshme madje shihet si nevojë imediate që edukimi mediatik të futet si lëndë mësimore në shkollat e mesme. Që në fazë sa më të hershme gjeneratat e reja të jenë të trajnuara në formën e duhur për të detektuar “lajmet e rreme” dezinformimin. Pra, kjo shihet si metoda e vetme përmes të cilës mund të mbrohemi si shoqëri nga kjo veprimtari famëkeqe që janë krijuar laborator për fabrikim të informatave të pasakta për një grusht klikimesh. Gjë që është shumë e rrezikshme dhe shumë e dëmshme për shoqërinë. /Zhurnal.mk

Të fundit