01/05/2024
13.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Franca dënon sulmet në veri, kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmerr masa për uljen e tensioneve

Franca ka dënuar fuqishëm sulmet e serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës thuhet se, palët duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

“Franca shpreh solidaritetin e saj të plotë me ushtarët e misionit të KFOR-it, disa pjesëtarë të të cilit u plagosën gjatë përleshjeve në veri të Kosovës kur ata ndërhynë, në ushtrimin e misionit të tyre, ndërmjet demonstruesve serbë dhe forcave të policisë së Kosovës. Franca dënon këtë dhunë në termat më të ashpër dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, thotë reagimi.

Shteti francez rithekson se, është më thelbësore se kurrë që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përgjegjësi duke u rikthyer në tryezën e bisedimeve me një qëndrim kompromisi në shërbim të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve serbë dhe kosovarë.

Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.

Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

KFOR në reagimin e bërë për media ka kërkuar të mos përshkallëzohet më tej situata si dhe Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në veri.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thotë KFOR.

Protesta e serbëve në veri është duke vazhduar, ndërkaq po vazhdon prania e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në komunat veriore.

Të fundit