Një tjetër klasë për mësimin e gjuhës shqipe është hapur në Effretikon të Kantonit të Zyrihut. Përpjekjet e mërgimtarëve për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe pasimin tek brezat e ardhshëm është një përpjekje e pandalshme.

Mësuesja Alma Mico me nxënësit e Shkollës Shqipe në Effretikon të Kantonit të Zyrihut
E premtja e datës 12 maj 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve të cilët të lumtur, të gëzuar u ulën në bankat shkollore të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, në pikën shkollore në Effretikon. Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrën e nxënësve por edhe të mësueses Alma Mico, e cila mundohej në mënyra të ndryshme t`ua bëj sa më të lehtë orën mësimore në këtë ditë fillimi të mësimit të gjuhës amtare.
Nxënësit Floriani, Ronisi, Ronesa, Albini, Ismajli, Amirja, Lina, Amina, Dorela, Ensari, Anuri, Almiri, të cilët erdhën në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në ditët në vazhdim e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë sepse për ta kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe.
Një angazhim në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të shkollës shqipe, koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Alma Mico dhe nxënësit e shkollës shqipe në Effretikon, të Kantonit të Zyrihut
Dhe fare në fund duke ju dëshiruar nxënësve dhe mësueses suksese pafund stafi i shkollës kanë apeluar te të gjithë bashkatdhetarët që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe.
Mësimi zhvillohet çdo të premte nga ora 17-19:00. Adresa e Shkollës është Schulhaus Watt, Lindenstrasse 68307 në Effretikon. / KultPlus.com