Humbjet kryesore në Banjat e Dibrës – Tv Koha
Lajmi i Ditës Maqedoni

Humbjet kryesore në Banjat e Dibrës

“Banjat e Dibrës – Capa” defakto janë mbartëse të ekonomisë dibrane. Këtu punojnë 270 të punësuar që faktikisht tregon qartë se ky subjekt ekonomik ka një domethënie shumë të madhe për Dibrën dhe dibranët. Dëme të mëdha kanë edhe kompanitë e transportit të pasagjerëve, bujqit, blegtorët dhe tregtarët

Vjollca SADIKU

Dibër, 18 maj – Situata e krizës që u shpall në dy komunat e para në vend për shkak të paraqitjes të koronavirusit, në Dibër dhe Qendër Zhupë, shkaktoi dëme të mëdha ekonomike. Këtë vlerësim e japin pronarët e bizneseve. Më të dëmtuar nga situata e krizës janë turizmi banjar, transporti, dhe shërbimet të ndryshme. Turizmit banjar i janë shkaktuar dëme të mëdha financiare. Nga 13 marsi i këtij viti kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme nga ana e Qeverisë në Komunën e Dibrës, kapacitete hotelerike të Banjave të Dibrës – Capa, tërësisht u mbyllën. Këtu ishin të pranishëm vetëm një numër i vogël i shtetasve të vendit, por edhe shtetas të huaj, të cilët në momentin të shpalljes të situatës të krizës, u gjendën në Dibër. Pronari dhe drejtori gjeneral i “Banjave të Dibrës – Capa”, Mexhit Capa, na deklaroi se dëmet janë të mëdha.
“Sidomos kur është në pyetje sezoni i pranverës, i cili faktikisht është një sezon kur në lokalitete banjare është edhe numri më i madh i mysafirëve nga vendi, por edhe nga shtete të tjera. Aktualisht kapacitete hoteljerike janë nën dry dhe punëtorët janë në shtëpi. Një situatë e këtillë ka dëmtuar dukshëm shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Dibrës – turizmin bajnar”. Capa vlerëson se situata aktuale në biznesin e Dibrës është shqetësuese, meqë Dibra në krahasim me qytetet tjera, ishte një muaj në karantinë. Pikërisht gjatë këtij muaji janë shkaktuar edhe dëmet më të mëdha në sektorin të turizmit, por edhe në sektorët tjerë. “Kemi kërkuar nga Qeveria që të merr masa dhe të ndihmojë turizmin dhe sferat të tjera në Dibër, dhe jemi në pritje të një përkrahje ekonomike. Duke marrë parasysh se kapacitet tona janë të mbyllura, kemi qenë të detyruar që rrogat e punëtorëve ti paguajmë duke marrë kredi”, thotë Mexhit Capa. Po ashtu, sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon kështu, pasojat do të jenë edhe më të mëdha dhe ka mundësi që një pjesë e punëtorëve të mbetet pa punë.

“Banjat e Dibrës – Capa” defakto janë mbartëse të ekonomisë dibrane. Këtu punojnë 270 të punësuar që faktikisht tregon qartë se ky subjekt ekonomik ka një domethënie shumë të madhe për Dibrën dhe dibranët. Problemi në fjalë me humbjet në ndërmarrjet dhe firmat e Dibrës për shkak të situatës të krizës dhe gjendjes të jashtëzakonshme janë duke u debatuar edhe në Shtabin e krizës në Dibër. Humbjet përveç në sferën e turizmit banjar janë prezente edhe në ndërmarrjet të tjera që funksionojnë në Dibër. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka kërkuar këto ditë të përfundojë analiza ekonomike për humbjet që ka pësuar biznesi dibran. Një analizë konkrete me të dhëna në detaje do ti dërgohet Qeverisë me kërkesë që të ndihmohet biznesi dibran në përgjithësi.

Dëme të mëdha kanë edhe kompanitë e transportit të pasagjerëve. Bëhet fjalë për kompani, të cilët bëjnë transport të udhëtarëve në nivele lokal, rajonale, ndërqytetare, por edhe transport të udhëtarëve jashtë vendit. Pronari i kompanisë “Gazmend Turist”, Gazmend Skara, thotë se pikërisht situata e krizës tërësisht ndërpreu punën e kësaj kompanie, e cila mes tjerash, realizon edhe transport ndërshtetëror. “Kemi dëme të mëdha dhe pasojat janë të mëdha në aspektin ekonomike”, ka deklaruar Skara. Po të njëjtin vlerësim e jep edhe kompania “Unik Turist”. Pronari Azem Ballanca thotë se më shumë se një muaj, automjetet e kësaj kompanie nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet. “Presim që Qeveria ti ketë parasysh këto situata”, thotë Ballanca. Nga situata e krizës pësuan edhe bujqësia, blegtoria, ndërtimtaria, tregtia, dhe sfera të tjera. (koha.mk)

Related posts

Sejdiu: Do të tejkalohet kjo situatë, zgjedhjet duhet të mbahen

Televizioni Koha

Me 229 kilometra në orë në autostradën Kumanovë – Shkup – Veles

Televizioni Koha

Diskutim publik në Qeveri me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare

Televizioni Koha

Leave a Comment