26/04/2024
8.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

KE-ja propozon tre miliardë euro ndihmë për dhjetë vende nga fqinjësia

Komisioni Evropian (KE) propozon të sigurohen tre miliardë euro ndihmë makrofinanicare për dhjetë vende nga fqinjësia e saj e drejtpërdrejtë, duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Komisioni Evropian mendon se kjo mbështetje është e nevojshme që të kufizohen pasojat negative ekonomike dhe sociale nga kriza shëndetësore me koronavirusin.

Për Maqedoninë e Veriut, KE-ja propozon që të ndahen 160 milionë euro, për Shqipërinë – 180 milionë, për BeH-në 250 milionë euro, për Kosovën – 100 milionë euro, për Malin e Zi – 60 milionë euro.

Jashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pushteti ekzekutiv evropian mendon se do t’u jenë të nevojshme 150 milionë euro Gjeorgjisë, 200 milionë Jordanisë, 100 milionë Moldavisë, 600 milionë Tunizisë dhe 1,2 miliardë euro Ukrainës.

Kjo është një pjesë e strategjisë së re të njohur si “Ekipi i Evropës” të BE-së, qëllimi i të cilit është që t’u ndihmohet vendeve partnere.

“Solidariteti evropiane nuk qëndron në kufijtë e Unionit. Sepse në këtë krizë globale qëndrojmë ose biem së bashku. Sot KE-ja ka ndërmarrë një hap vendimtar që t’u ndihmojë dhjetë vendeve tona fqinje në luftën e tyre kundër koronavirusit, u bën thirrje Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës të harmonizohen rreth kësaj pakoje të rëndësishme”, deklaroi eurokomisari për ekonomi, Paolo Xhentiloni.

Fondet do të ishin në dispozicion njëzetë muaj në formë të huave “me kushte shumë të mira” që t’u ndihmohet vendeve për t’i mbështetur nevojat urgjente financiare, ta stabilizojnë situatën makroekonomike dhe t’i lehtësojnë pasojat negative socioekonomike nga kriza shëndetësore, thotë KE-ja.

Propozimi tani duhet të jetë i pranueshëm nga ana e PE-së dhe KE-së, si dy trupa bashkëvendimtare të BE-së. Komisioni kërkon nga dy institucionet urgjentisht të japin dritë jeshile.

Kësti i parë do të lirohet pasi do të miratohet propozimi, ndërsa kësti i dytë nga shtatori i këtij viti ose fillimi i vitit 2021, “nëse masat politike të lidhura për të implementohen në kohë”, konsideron Komisioni. tm/fb/

Të fundit