27/04/2024
7.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

KE: Nuk do të ketë “verë normale”, por nuk do ta lëmë pa e shfrytëzuar

Komisioni Evropian ka miratuar një pako masash, me të cilat do të sigurohet kthimi i turizmit dhe udhëtimeve këtë verë.

Është propozuar lehtësim në faza dhe i koordinuar i masave kufizuese, që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes së qytetarëve. Kjo duhet të bazohet në një vlerësim të situatës epidemiologjike, në zbatimin e masave për të parandaluar përhapjen e virusit gjatë gjithë udhëtimit, si dhe në faktorët ekonomikë dhe social, të cilët në plan të parë do të vendosnin kalimin e kufijve për shkak të aktiviteteve në zonat kryesore, përfshirë dhe arsyet personale.

“Kjo nuk do të jetë një verë normale, por nëse të gjithë e organizojmë pjesën tonë të punës, nuk do të duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe të humbasim verën”, tha nënkryetarja e Komisionit Evropian,Margaret Vestager.

Komisioni ka përfshirë në propozimet e tij parimet e përgjithshme që duhet të zbatohen në rinovimin gradual të transportit ajror, hekurudhor, tokësor dhe detar.

Rekomandimet bazohen në nevojën për të kufizuar kontaktin midis udhëtarëve, si dhe ndërmjet udhëtarëve dhe punonjësve të transportit, gjë që përfshin uljen e numrit të udhëtarëve kur është e mundur, mbajtja e maskave ​​mbrojtëse dhe protokolle speciale në rast të pasagjerëve me simptoma të sëmundjes.

Komisioni Evropian thotë se udhëzimet kanë për qëllim të bëjnë më të lehtë për vendet anëtare të marrin vendime kombëtare dhe “të sigurt dhe gradualisht” të hapin kufijtë për njerëzit, shërbimet e transportit dhe turizmin.

Kujtohet se futja e kufijve të brendshëm në BE në fillim të pandemisë ishte “e çorganizuar”, sepse pandemia ende vazhdon dhe se masat e prezantuara nuk mund të “shfuqizohen brenda natës”.

“Kufijtë e brendshëm të BE-së u prezantuan si masa emergjente të përkohshme për të luftuar kundër Kovid-19. Ata janë gjithashtu një frenim i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe duhet të pezullohen gradualisht, në një mënyrë të koordinuar dhe pa diskriminim”, thanë diplomatët evropianë në Bruksel.

Shtohet se një nga kriteret themelore për hapjen e kufijve ishte situata epidemiologjike në BE, e cila, siç vlerësuan po përmirësohet.

Është paralajmëruar edhe hartimi i një hartë interaktive, e cila do të shërbejë t’u ndihmojë udhëtarëve potencial informacione rreth situatës epidemiologjike në vendet dhe rajonet ku ata duan të udhëtojnë. mb/

Të fundit