27/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kokaina e konfiskuar në Krushopek, pjesë e një sasie të madhe me destinacion final vendin tonë

Një kilogram kokainë është konfiskuar, e që ka qenë pjesë e një sasie të madhe të drogës, destinacioni final i së cilës ka qenë vendi ynë, janë arrestuar katër persona, hapja e hetimit financiar për personin juridik në hapësirat e së cilit është gjetur droga, hetim për involvimin eventual të personave të tjerë fizikë dhe juridikë, janë rezultatet e aksionit të djeshëm të policisë në fshatin Krushopek të Shkupit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, në pres konferencën nuk deshi të thotë se për çfarë sasie të drogës bëhet fjalë dhe as me cilat polici të tjera ka bashkëpunuar dhe në çfarë periudhe kohore, ndërsa janë, siç tha, në interes të hetimit.

Mediat e shtetit tonë, por edhe në rajon – Shqipëria, Serbia, Sllovenia, publikojnë se dërgesa e plotë ka qenë 1,3 tonë kokainë me origjinë nga Kolumbia.

Çulev informoi se kokaina është gjetur në një depo për fruta – banane të personit juridik Baneks kompani SHPKNJP.

Operacioni është zbatuar nga 17 deri më 19 shkurt, ndërsa Njësiti për Operacione Speciale ka kryer bastisje në depon e Baneks kompani SHPKNJP, e cila 120 herë ka bërë importimin e frutave në pjesën më të madhe nga Kolumbia, ndërsa në sasi më të vogël edhe nga Ekuadori.

“Sektori për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe serioz, Njësiti për tregti të palejuar me drogë në periudhën prej më 17 deri më 19 shkurt 2020 në koordinim me prokurorin publik të PTHP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në të cilin janë përfshirë më shumë vende ka realizuar aksion për tregti të palejuar me drogë, me ç’rast në fshatin Krushopek të Shkupit u konfiskua një kilogram kokainë, që është pjesë e një sasie më të madhe, i cili duhej të përfundonte në shtetin tonë”, tha Çulev.

Rreth orës nëntë të mërkurën në vendkalimin kufitar Qafthanë – Strugë është evidentuar një automjet motorik transportues Iveko dhe rimorkio, i drejtuar nga 31-vjeçari J.K. shtetas i Malit të Zi, i cili pas përfundimit të formaliteteve doganore është nisur drejt Krushopekut. Policia me urdhër të siguruar paraprak ka kryer bastisje në depon për fruta dhe në momentin e ardhjes së kamionit atje ka qenë J.E. (22) djali i pronarit të personit juridik, i cili është pranuesi final i mallit dhe R.I. (51), i cili ka qenë i punësuar në depo dhe ka kryer shkarkimin e mallit. Pronari dyzet e shtatëvjeçar S.E. nga Shkupi në ndërkohë kishte ardhur tek personi juridik. Të gjithë ata janë privuar nga liria dhe janë në stacion policor, ndërsa sot do të dalin para gjykatësit të procedurës paraprake.

“Pas bastisjes së kryer në njërën prej paketave është gjetur një paketim drejtkëndësh me materie të bardhë, i ngjitur me shirit të gjelbër”, tha Çulev dhe shtoi se në operacion janë marrë telefona celularë, rreth tre mijë euro, 700 dollarë dhe 188 mijë denarë, automjeti motorik Iveko, së bashku me 98 paketa banane, dokumentacioni, pajisjet teknike”, tha Çulev.

Theksoi se këtyre ditëve MPB do të ndërmarrë masa më të mëdha për njoftimin e vendeve përmes të cilave ka kaluar transporti, ndërsa përveç aktivistëve ndërkombëtarë MPB do të ndërmarrë edhe aktivitete për personat e tjerë fizikë dhe juridikë të cilët eventualisht janë në korrelacion me këtë person juridik. Ai shtoi se gjatë ditës do të ketë edhe hetim financiar ndaj personit juridik.

Operacioni, e përsëriti Çulev është ndërkombëtar, por ai nuk deshi të përmendë shtete konkrete të cilat janë të përfshira në operacion për shkak të mbrojtjes së hetimit.

Disa media të rajonit publikuan se dërgesa prej 124 tonë banane është ngarkuar nga porti meksikan Verakruz, me çka janë paguar 40.460 dollarë amerikanë.

Në operacionin, e filluar para tre muajve, sipas burimeve të MPB-së, përveç policisë së Maqedonisë janë përfshirë edhe policia italiane dhe malazeze, si dhe ajo amerikane DEA.

Kamioni me kokainë në Shkodër është pritur me “nderime” dhe është dërguar në Pogradec, publikoi në profilin e tij në Fejsbuk gazetari i njohur nga Shqipëria, Artan Hoxha.

“Kamioni me 1,3 tonë kokainë me “nderime” është pritur në doganën Hani i Hotit në Shkodër dhe është dërguar me “respekte” në doganën në Qafthanë – Pogradec, që më pas të arrestohen dy shoferë dhe pronari i depos në një fshat në Maqedoninë e Veriut”, shkruan gazetari Hoxha, duke e komentuar aksionin më të ri të policisë së Maqedonisë në fshatin Krushopek.

Në mënyrë plotësuese ai si dilemë e shtron pyetjen nëse ky aksion i ngjan atij me kontejnerin kur në Maminas, afër Durrësit, në mars të vitit 2018, janë konfiskuar 613 kilogramë kokainë kur u arrestuan dy shoferë dhe një punonjës në një depo për banane.

Të paktën tre të arrestuar deri më tani nga aksioni policor në Krushopek, Saraj, për kapjen e 1.3 tonë kokainë, publikoi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha e cila ka siguruar ekskluzivisht edhe foton e kamionit të ngarkuar me banane, që kishte hyrë nga Mali i Zi e që më pas doli nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni.

Në këtë aksion të mirëorganizuar, publikoi “Top channel” kanë qenë në dijeni të ngarkesës policia italiane si dhe ajo shqiptare që kanë marrë pjesë në aksion ndërsa në aksionin policor të zhvilluar në Krushopek të Sarajit ka marrë pjesë edhe drejtoria shqiptare kundër krimit të organizuar.

“Informacionet e para thonë se kokaina fillimisht ka ardhur nga Amerika në Bar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Për arsye të panjohura për momentin, destinacioni është ndryshuar dhe kokaina ka përfunduar në Krushopek. “Top Channel” mëson se kur ka hyrë në Shqipëri, policia e ka vrojtuar, në rast se kokaina do shkarkohej në vend. Kamioni ishte me targa të Maqedonisë së Veriut ndërsa në Shqipëri nuk ka ndaluar”, publikoi kjo media. .

MEDIAL.mk

Të fundit