27/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Koment: A mundet kërkesa për një njësi zgjedhore ta “pensionojë” para kohe Dimitar Kovaçevskin?

Qeveria ende nuk ka debatuar për grupet e punës për një njësi zgjedhore gjegjësisht për ndryshimin e Kodit zgjedhor, kumtoi zëdhënësi qeveritar Dushko Arsovski duke iu përgjigjur pyetjeve se kur do të formohen grupet dhe cilët do të jenë anëtarët.
“Gjithsesi, më shumë informacione do të pasojnë më tej pasi është në duart e partive të cilat në fund do ta kenë fjalën e fundit”, tha Arsovski në konferencën e rregullt për shtyp.
Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski para dhjetë ditësh deklaroi për mediat se procesi për Kod të ri zgjedhor gjegjësisht i modelit të zgjedhjeve fillimisht duhet ta definojnë grupet e punës ndërsa më pas do të përfshihen edhe ekspertë të opinionit të ekspertëve me qëllim që të shihen, siç tha, të gjitha parashikimet se si do të duket procesi zgjedhor në bazë të një modeli të ri zgjedhor të supozuar.
Vonesa në formimin e grupeve të punës vetëm se pasqyron situatën e vështirë në të cilën gjendet për momentin Kovaçevski dhe LSDM-ja. Në njërë anë, partnerët e tyre të vegjël insistojnë në modelin me një njësi zgjedhore, e në anën tjetër është BDI-ja me 15 deputetë, e cila nuk dëshiron as të dëgjojë për këtë propozim. Partitë e vogla nuk kanë deputetë sa BDI-ja, mirëpo shumica parlamentare është ende e “ngushtë” sa që çdo pakënaqësi edhe nëse nuk krijon shumicë tjetër prej 61 deputetëve, megjithatë e bën jofunksional Kuvendin, siç ishte edhe më herët, shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.
Ndërkohë, Pavle Trajanov, deputet dhe kryetar i Lidhjes Demokratike, I cili është bë në njëfarë mënyre edhe zëdhënës i bllokut të partivetë vogla brenda koalicionit me LSDM-në, ka akuzuar pikërisht partinë e Kovaçevskit se është subjekti që po refuzon idenë për një njësi zgjedhore.
Trajanov insiston se se një model i tillë nuk do ta dëmtojë asnjë parti, por do të kontribuojë në manifestimin e vullnetit real të votuesve në Kuvend.

Sipas tij, nëse partitë e mëdha nuk janë të gatshme të krijojnë kushte të barabarta, shanse për garë politike, nuk mund të presim që vendi të demokratizohet dhe se Kuvendi që do të dalë nga zgjedhjet me një njësi zgjedhore do të jetë pasqyrë reale e vendosmërisë së qytetarëve. Mirëpo akuza e drejtpërdrejtë ndaj LSDM-së, tregon se gjërat mes tyre mund të kenë shkuar larg. Aq më tepër që kjo akuzë vjen pas takimeve që ky bllok partish realizoi me VMRO-DPMNE-në, sado që pas atyre takimeve u tha se “për momentin nuk mendojnë se ka nevojë për përjashtime në koalicionin qeverisës”.
Kurse, në anën tjetër, partitë e vogla kanë gjetur një bashkëbisedues të mirë te VMRO-DPMNE-ja, e gatshme për të pranuar gjitha kërkesat e tyre, vetëm e vetëm sa më shpejtë të arrihet qëllimi për shkuarje në zgjedhjet ët parakohshme.
Befasirat nuk mungojnë kur është në pyetje politika, mirëpo siç qëndrojnë punët, një shkuarje e shpejtë e vendit në zgjedhje të parakohshme, do të ishte edhe shkuarje e LSDM-së drejt një humbje të sigurtë (bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale). E me këtë edhe pensionimi i parakohshëm (nga politika) i kryeministrit dhe kryetarit të sapozgjedhur të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i paevitueshëm.///Zhurnal

Të fundit