26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kuvendi u shpërnda, u hap rruga për zgjedhje më 12 prill

Kuvendi unanimisht me 108 vota “për” e solli vendimin për vetëshpërndarje në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare të caktuara për më 12 prill. Paraprakisht shpërndarja e Parlamentit u paralajmërua për më 12 shkurt, por kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi tha se pas konsultimit të bërë me Komisionin shtetëror zgjedhor vendosi që mbledhjen ta caktojë për dje, 16 shkurt.

Vendimi për vetëshpërndarje ishte parashtruar nga spikeri Talat Xhaferi, i cili në fjalimin e tij në mbledhjen e djeshme tha se nga KSHZ-ja janë deklaruar se mund të sigurojnë rrjedhë adekuate të procesit në afat prej 55 ditëve nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit për shkak të faktit që zgjedhjet e parakohshme janë të lidhura me aktin e shpërndarjes së Kuvendit, e jo me vendime politike.

“Dhe për atë shkak, duke i analizuar dhe llogaritur të gjitha afatet, momenti i fundit i shpërndarjes së Kuvendit duhet të jetë sot me qëllim që të sigurohen të gjitha afatet dhe procedurat me kohë”, tha dje Xhaferi.

Theksoi se të gjitha vendimet që ishin sjellë në Parlament janë sjellë në interes të qytetarëve dhe të shtetit.

“Si njerëz është njerëzore që diçka edhe kemi gabuar. Sa më përket mua, nëse kam gabuar, gabimin nuk e kam bërë me qëllim dhe publikisht kërkoj falje”, potencoi Xhaferi.

Para se të shpërndahet Kuvendi mes tjerash i miratoi edhe ligjet për prokurorinë publike dhe ndryshimet e ligjeve për Këshill të prokurorëve publikë dhe për mbrojtje. Ligji për prokurorinë publike, për të cilin gjatë kohë negociohej dhe nuk ishte mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, u miratua me 80 vota “për” dhe gjashtë “kundër”.

Para se të mbahej ky votim, pati edhe një votim për Ligjin, kur 74 deputetë u deklaruan “për”, ndërsa 32 “kundër”. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e anuloi këtë votim sepse paraprakisht deputetja Liljana Popovska në mënyrë procedurale kërkoi fjalë, ndërsa edhe disa deputetë u ankuan se votimi nuk u ishte evidentuar.

Deputetët nga VMRO-DPMNE vërejtën se është shkelur procedura dhe Rregullorja dhe se Xhaferi nuk ka pasur të drejtë ta anulojë votimin e parë. Për atë shkak, më vonë në konferencë për shtyp, kërkuan që presidenti Stevo Pendarovski të mos e nënshkruajë dekretin për hyrjen në fuqi të ligjit. Të njejtën e kërkuan edhe për ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin për prokurorë publik, për shkak se, siç cekën, gjatë votimit nuk ishte parimi i votimit me Badenter.

Pasdite kabineti i presidentit të shtetit informoi se Pendarovski i nënshkroi Dekretet për shpallje të disa ligje të cilat janë miratuar nga Kuvendi i RMV-së, mes të cilave edhe për Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin e prokurorëve publik, Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mbrojtje dhe Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Kodit zgjedhor.

Lidhur me kërkesën e partisë politike VMRO-DPMNE Pendarovski të mos e nënshkruajë Ligjin për Prokurorinë publike, kryetari tregon se në pajtim me nenin 75 të Kushtetutës “Presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin, nëse sipas Kushtetutës, ligji miratohet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, ndërsa Ligjin për prokurorinë bën pjesë në ato ligje.

Ligji për prokurorinë publike, konsiderojnë përfaqësuesit e pushtetit, duhet të mundësojë shtet juridik dhe barazi për të gjithë qytetarët para drejtësisë. Miratimi i Ligjit, sipas tyre, është edhe sinjal i mirë për vazhdimësinë e proceseve reformuese të vendit.

“Arritëm, e siguruam të ardhmen evropiane të vendit! I uroj të gjithë 80 deputetët, të cilët ndërmorën përgjegjësi, e njohën këtë moment si kyç për sundimin e së drejtës dhe për integrimin tonë evropian, i fituan presionet dhe votuan për miratim të Ligjit për prokurori publike. Së bashku do të vazhdojmë përpara me hapa vendimtarë për drejtësi joselektive dhe të vërtetë. Për perspektivë evropiane, por edhe përgjegjësi për të gjithë të cilët e shkelën ligjin! Për përparim, zhvillim dhe anëtarësim në NATO dhe BE”, shkroi mbrëmë lideri i LSDM-së dhe ish-kryeministër, Zoran Zaev në profilin e tij në Fejsbuk.

Ai paraprakisht u bëri thirrje të gjithëve, siç shkroi, njerëzve dashamirë të drejtësisë, sonte t’i bashkangjiten Marshit “Hapërojmë për drejtësi”, që do të fillojë para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ju bëj thirrje të bashkangjiteni. Së bashku të hapërojmë nga vendi ku u votua Ligji për prokurorinë publike – nga Kuvendi, deri te vendi ku duhet t’i shohim epilogjet përfundimtare juridike – gjykata!”, shkroi Zaev.

Miratimi i ligjit për prokurorinë publike u përshëndet edhe nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.MIA .ab/

Të fundit