27/04/2024
7.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ndahen mirënjohjet “Të rinj të suksesshëm” për arritje të rëndësishme në vitin 2021

Shtatë të rinj të cilët arritën rezultate të jashtëzakonshme në vitin 2021, sot e kanë marrë mirënjohjen “Të rinj të suksesshëm” të cilën e dhuron presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut si nxitje për mendimin kërkimor shkencor dhe punën artistike të të rinjve në vendin tonë.

Mirënjohja u jepet të rinjve deri në moshën 35 vjeçare. Këtë vit kanë aplikuar 45 kandidatë në shtatë nga tetë kategoritë. Nuk është ndarë mirënjohja vetëm për novator të ri sepse nuk kishte asnjë aplikim. Një komision i posaçëm i zgjodhi shtatë fituesit, ndërsa sot presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ua dorëzoi çmimet.

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski theksoi se këta të rinj janë pjesë e pakicës krijuese që kanë potencial të bëjnë përparime të rëndësishme në fushat e tyre.

“Biografitë, punimet shkencore, referencat e tyre, si dhe angazhimet artistike e shoqërore dëshmojnë se secili prej tyre është përballur me disa nga çështjet e mëdha të shkencës, teknologjisë, artit dhe zhvillimit shoqëror në përgjithësi. Ata jo vetëm që nuk kanë frikë të bëjnë pyetje të vështira, por kanë mjaft guxim, virtyt dhe njohuri për të propozuar zgjidhje përmes perspektivave krejtësisht të reja. Dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të vendit të tyre, tha kreu i shtetit.

Këta të rinj të suksesshëm, shtoi presidenti, janë shembull pozitiv për bashkëmoshatarët e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë. Rruga e tyre drejt suksesit, siç tha ai, nuk është aspak e lehtë, pasi kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm.

Pendarovski tha se institucionet nuk duhet t’i lejojnë vetes “të lënë jashtë dorës talente të tilla të rralla” dhe se shteti duhet të ofrojë “mundësi të barabarta për të gjithë të përparojnë dhe t’i njohë dhe shpërblejë më të suksesshmit në mesin e tyre”.

Të fundit