27/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në RMV vazhdon diskriminimi në punësime, në zonat shqiptare ka më pak punësime!

Rajonet e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin zonat me më pak të punësuar, kjo pasi për politikat shtetërore maqedonase mund të konsiderohet forma moderne e dëbimit apo largimit nga shteti të shqiptarëve. Varfëro, mos punëso, dëbo, duken këto tre shtylla përmes të cilave pa luftë e në paqe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lëshojnë vendin e tyre, në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe me perspektivë. Shqiptarët sado që krekosen për afirmimin e të drejtave, dhe udhëheqjen e institucioneve me peshë në vend, sërish kur zbritet në terren dhe shihet gjendja e qytetarëve shqiptarë dëshmohet e kundërta. Rajonet e banuara me shqiptarë, si rajoni i Pollogut, rajoni Verilindor duke përfshirë Komunën e Kumanovës dhe atë të Likovës, janë rajonet më pak të zhvilluara tek të cilat mungojnë investimet kapitale dhe në të njëjtën kohë nga këto zona numri më i madh i të rinjve në nivel shteti largohen prej vendit. Se gjendja është e tillë është dëshmuar edhe përmes hulumtimit të fundit të Institutit për Politika Publike “Arben Xhafer”, duke marrë për burim edhe të dhënat e ESHS për sa i përket vendeve aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti. Në bazë të cilave rezultojnë që zonat e banuara me shqiptarë janë zonat me më pak të punësuar, shkruan Zhurnal.

Zonat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin me numrin më të ulët të punësimeve në nivel shteti –

Edhe përkundër faktit që shqiptarët kanë bërë progres në disa rrafshe të tjera, në rrafshin e punësimit sërish vazhdojnë të mbesin të diskriminuara për sa i përket numrit aktiv të të punësuarve.

Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat për vendet aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti për tremujorin e katërt të vitit 2022.Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i ka analizuar këto të dhëna nga pikëpamja rajonale:

Rajoni i Shkupit është dukshëm rajoni me më së shumti vende aktive të punës me 247.295 sosh, pasuar nga Pellagonia me 51.155 dhe Rajoni Lindor me 38.473. Rajoni Verilindor (Kumanova) është i fundit me 22.161 vende aktive pune, Pollogu (Tetova dhe Gostivari) i parafundit me 26.879, pas Rajonit Juglindor (Struga, Dibra dhe Kërçova) me 30.345.

Krahasuar me popullsinë e përgjithshme të rajoneve, Pollogu, si rajoni i dytë më i populluar në vend, qëndron më së keqi me vetëm 762 vende aktive pune për 10.000 banorë, pas Rajonit Verilindor me 1.242 dhe atij Jugperëndimor me 1.614.

Shkupi, i cili përbën 30.9% të popullsisë së përgjithshme, koncentron 50.5% të vendeve aktive të punës në nivel vendi. Pollogu, me 16.8% të popullsisë së përgjithshme, radhitet i parafundit sipas këtij kriteri me vetëm 5.5% të vendeve aktive të punës në nivel vendi. Dy rajonet tjera ku jetojnë shqiptarët radhiten krejt në fund me Pollogun, respektivisht Rajoni Juglindor me 6.2% dhe ai Verilindor me 4.5%.

Sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik lokal, OECD-ja rekomandon, përveç krijimit të një kornize të qëndrueshme makroekonomike, që qeveritë të zbatojnë politika strukturore që inkurajojnë inovacionin, aftësitë dhe zhvillimin e biznesit. OECD rekomandon poashtu që të ndërtohen strategji dhe sisteme të adaptueshme ekonomike lokale dhe që të përdoren të dhënat lokale për të informuar politikëbërjen, si faktorë të rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Këto rezultate nuk janë të pa pritshme, pasi edhe në ato pak vende pune të rezervuara për shqiptarët punësohen maqedonasit –

Nëse para disa viteve ka qenë problem garantimi i një vendi pune për një shqiptarë, tani më kjo çështje është e rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit, konkretisht ligjin e Balancuesit. Por, sërish shqiptarët therrë në sy për maqedonasit, edhe pse janë të pakta ato vende pune të rezervuara për shqiptarët në kuadër të këtij ligji, ka pasur shumë raste që maqedonasit ndryshojnë identitet në letra vetëm për tu punësuar në atë vend të caktuar për një shqiptarë.

Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural është institucioni i cili ka bërë keqpërdorim të këtij ligji që në vendin e lirë të punës sipas ligjit të caktuar për një shqiptarë kanë punësuar një maqedonase. Raste të tilla ka shumë, prandaj shqiptarët vazhdojnë ende të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, që më shpesh shpërfillen se sa përfillen. Dhe, kjo është dëshmi që shqiptarët ndjehen të diskriminuar në gjitha instancat dhe në gjitha mënyrat e mundshme, dhe kjo pastaj shkakton dëshpërim e zhgënjim dhe përkthehet me largim prej vendi.

Zona e Likovës figuron si “zonë e rrezikshme” në hartat e investitorëve të jashtme, zonë tërësisht e banuar me shqiptarë. Pra, edhe pas më shumë se 20 vite prej kur ka përfunduar lufta në Maqedoninë e Veriut, kjo zonë ende është e identifikuar si zonë jo e përshtatshme për investim. Prandaj, mungojnë edhe investimet kapitale, investitorë të jashtëm, zhvillimi industrial nuk shihet askund.

Dhe, ikja e të rinjve nuk është i rastësishëm nga këto zona pasi kur nuk kanë punë nuk mund të sigurojnë mirëqenien e tyre sociale. Pra, në ballë të qindra arsyeve për largim nga vendi duke mos qenë vetëm çështja e punësimit, pse këta të rijnë të qëndrojnë në vend pa pasur as edhe një arsye të vetme, vetëm për të votuar me dorën e tyre kapitullimin e tyre. /Zhurnal.mk

Të fundit