13/10/2024
9.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Paralajmërohet ashpërsimi i dënimeve për armëmbajtje pa leje

Vrasja e nëntë nxënësve dhe rojës së një shkolle në Beograd më 3 maj, nga një nxënës 13 vjeç, ka nxitur ndërmarrjen e masave për mbledhjen e armëve pa leje që posedojnë qytetarët në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu është paralajmëruar edhe ashpërsimi i dënimeve për armëmbajtje pa leje.

Vetëm gjatë javës së fundit, në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur dy vrasje me armë zjarri. Në qytetin juglindor maqedonas, Demir Kapi, një person ka vrarë fqinjin e tij dhe më pas është vetëvrarë.

Ndërkohë, autoritetet gjyqësore në Shkup kanë shqiptuar një muaj paraburgim ndaj 14 personave, që dyshohet se janë anëtarë të grupeve kriminale për trafikim të drogës dhe armëve.

Sipas analizës së fundit të “Kërkimeve për armë të vogla”, në Maqedoninë e Veriut janë mbi 620 mijë armë zjarri, 450 mijë prej të cilave vlerësohet se janë pa leje.

Sipas këtyre të dhënave, në 100 persona, 30 prej tyre posedojnë armë, tetë prej të cilëve kanë leje për to, ndërkaq 22 jo.

Në këtë studim janë përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Në mesin e 34 shteteve të përfshira në të dhënat e “Kërkimeve për armë të vogla”, Maqedonia e Veriut është radhitur e shtata sa i përket posedimit të armëve pa leje.

Kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, ka kërkuar ndëshkime të ashpra për armëmbajtje pa leje.

Ai ka theksuar se “shtrëngimi i politikës penale duhet të sigurojë që masat e sanksionimit për krime të tilla të jenë brenda kufijve të përcaktuar me ligj, pa mundësinë e masave alternative”.

“Kërkoj nga të gjithë prokurorët publikë në këtë vend që gjatë veprimeve të tyre të insistojnë në sanksione më të rrepta penale për veprën penale ‘Prodhimi, mbajtja dhe tregtimi pa leje i armëve apo lëndëve shpërthyese’”, ka thënë ai.

Joveski po ashtu është shprehur se në rastet e sanksioneve më të butë me aktgjykime të shkallës së parë, autoritetet duhet të përpiqen që përmes procedurave të shkallës së dytë, të shqiptohen dënime më të rënda.

Por, njohësit e çështjeve juridike, thonë se problemi i armëve ilegale nuk zgjidhet vetëm me shtrëngimin e masave penale. Ata thonë se duhet të gjinden modalitete për regjistrimin dhe mbledhjen e tyre.

“Fillimisht, duhet fokusuar në mbledhjen e armëve, të shihet se sa armë ilegale ka në vend. Pasi të përfundojë kjo fazë, në fazën e dytë mund të shqiptohen dënime më të larta dhe më pas duhet të fokusohemi në zbulimin e njerëzve që tregtojnë armë të paligjshme. Ju e shihni se sa herë kemi të bëjmë me trafikimin e lëndëve narkotike, gjithmonë ka edhe armë pa leje”, thotë Bashkim Selmani, ish-gjykatës, njëherësh ligjërues i të Drejtës Penale në Universitetin e Tetovës.

Çka thuhet në Ligjin për armët?

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për armët është miratuar më 2005. Ky ligj ndan në katër kategori armët. Në kategorinë A përfshihen armët e zjarrit që janë plotësisht automatike dhe që janë të ndaluara për përdorim civil. Kategoritë B dhe C përfshijnë armët e zjarrit gjysmëautomatike, pistoletat, pushkët dhe pushkët e gjahut që mund të blihen dhe qytetarët të pajisen për to me leje normale. Ndërkaq, kategoria D përfshin armët e ftohta, ajrore dhe zjarri që mund të blihen pa licencë, por duhet të regjistrohen.

“Për të marrë leje për armë zjarri në Maqedoni të Veriut, personi duhet të jetë së paku 18 vjeç, i aftë për punë, i shëndetshëm, të mos jetë i rrezikshëm për rendin publik, të ketë vendbanim të përhershëm në Maqedoni të Veriut, të ketë njohuri teknike për armët dhe rregulloret përkatëse dhe të ketë arsye të justifikuar për fitimin e një të drejte të tillë”, thuhet në këtë ligj.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut thanë se sipas shifrave që kanë, 180 mijë qytetarë posedojnë armë me leje.

Nga kjo ministri thanë se vazhdimisht po rritet interesimi i qytetarëve që të pajisen me leje për armë.

Por, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE akuzoi pushtetin, përkatësisht, siç tha, mosveprimin e Ministrisë së Punës të Brendshme karshi numrit të madh të armëve pa leje që gjenden në duart e qytetarëve.

Nga kjo parti përmendën edhe rastin e grabitjes në deponë e Policisë në Ohër dhe një vit pas kësaj ngjarje, ende nuk dihet se ku kanë përfunduar armët e vjedhura dhe ende nuk janë gjetur autorët.

Nga vijnë armët ilegale?

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e madhe e armëve ilegale në shtetet e Ballkanit Perëndimor vjen si rrjedhojë e luftërave në ish-Jugosllavi dhe vjedhjeve të mëdha në depotë e armëve në Shqipëri më 1997.

“Në përgjithësi, armët ilegale paraqesin një lloj kërcënimi të sigurisë për stabilitetin e shtetit”, thotë ai.

Ish-ministri i Punëve të Brendshëm Pavle Trajanov thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e madhe e armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor është si rrjedhojë e luftërave në ish-Jugosllavi dhe vjedhjeve të mëdha të depove në Shqipëri në vitin 1997.

“Në përgjithësi, armët ilegale paraqesin një lloj kërcënimi të sigurisë për stabilitetin e shtetit”, thotë Trajanov.

Ndryshe, dy ditë pas të shtënave masive në një shkollë fillore në Beograd, Serbia u përball edhe me një ngjarje tjetër të rëndë, kur një person vrau me armë zjarri tetë persona. Kjo bëri që autoritetet në Beograd të paralajmëronin shtrëngim të masave për posedim të armëve. Zyrtarët serbë kanë njoftuar në mesin e majit se mbi 20.000 armë dhe pajisje shpërthyese janë dorëzuar nga qytetarët.

Të fundit