07/10/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pastrohet deponia e vjetër e Tetovës për t’u ndërtuar stacion i pastrimit për ujërat e zeza

Zëvendëskryetari për Çështje Evropiane Bujar Osmani, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe Gir Johansen, sekretar i parë i Ambasadës së Norvegjisë sot ishin për vizitë në terren në afërsi të fshatit Falishe, ku pastrohet deponia e vjetër e Tetovës. Pas pastrimit të deponisë, në vendin e njëjtë do të fillojë ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza për rajonin e Tetovës.

Osmani ka potencuar se projekti është i rëndësishëm për tërë rajonin, por edhe për tërë shtetin.

“Ky projekt është multidimensional, jo vetëm për faktin që do të pastrojë një deponi të tillë, por edhe do të krijojë parakushte të ndërtohet stacion i pastrimit, ujërat e zeza do t’i pastrojë nga tërë rajoni. Do të tregojmë përgjegjësi edhe ndaj rajonit sepse ky ujë do të shkojë në Greqi, do të bëhemi faktor kredibil i rajonit në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe të qytetarëve të cilët jetojnë në kontinent”, tha Osmani.

Pastrimi i deponisë bëhet me ndihmës e Qeverisë norvegjeze.

“Edhe Norvegjia para 25 viteve ka qenë në gjendje të ngjashme dhe mund të lavdërohemi me faktin se tani kemi më shumë se 2.700 stacione të pastrimit për ujërat e zeza me çka përfitim kanë qytetarët dhe mjedisi jetësor. Ashtu do të jetë edhe këtu me realizimin e këtioj projekti”, tha Johansen.

Pastrimi i deponisë së paligjshme duhet të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2019.

“Njëra nga standardet për fillim të ndërtimit të stacionit të pastrimit ishte pastrimi i kësaj deponie. Në lidhje me dokumentacionin projektues i dhamë të gjitha lejet e nevojshme, edhe për ndërtim të stacionit të pastrimit edhe në të dy kolektorët, dhe me përfundimin e këtij procesi BE-ja nuk do të ketë problem të vazhdojë me tenderim dhe realizim të projektit”, deklaroi Arifi.

Sipas parashikimeve, siç tha Arifi, pastaj deri në vitin 2022 tërë procesi duhet të kompletohet dhe të ndërtohet stacion i pastrimit me mjete të IPA fondeve në vlerë prej 30 milion euro me të cilat do të ndërtohen tërë stacioni, dy kolektorët dhe rrjete të reja të kanalizimit.

Deponia e vjetër e Tetovës gjendet në 67 mijë metra katror në rrugën nga Falishe drejt fshatit Strimnicë. Gjithsej 170.000 metra kub mbeturina minohen dhe transportohen në deponinë Drislla. Pastrimi, hedhja e mbeturinave është financuar nga Qeveria dhe Komuna e Tetovës me 2,3 milion euro, derisa transporti i mbeturinave në vlerë prej 700.000 euro është financuar nga Norvegjia në suaza të projektit Mbështetje nordike për përparimin e Maqedonisë së Veriut.

Të fundit