27/04/2024
7.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Protestuesit në Shkup: Vdekja e Rexhail Qerimit në burg e dyshimtë, hetim ndërkombëtar për të gjitha rastet e montuara

Sot në Shkup është mbajtur marsh protestues në nder të vdekjes në burg të dënuarit në rastin “Alfa”, Rexhail Qerimi, i cili ishte duke pritur që procesi gjyqësor të rikthehet nga e para pasi që pretendonte se nuk e kishte bërë veprën për të cilën u dënua me burg të përjetshëm. Protestuesit kërkuan nga faktori ndërkombëtar, por edhe institucionet e vendit të angazhohen për zbardhjen e rasteve që cilësohen në opinion si të montuara, njofton Portalb.mk.

Marshimi i protestuesve filloi nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup dhe vazhdoi përmes rrugës deri te Qeveria dhe më pas te Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

Nagip Jonuzi, njëri prej organizatorëve të protestës, theksoi se vdekja e Qerimit në qelinë e burgut është e dyshimtë.

“Si mund të cilësohet ndryshe kjo vdekje, kur ajo ndodhi pak kohë më parë se organet përkatëse ta rishqyrtojnë rastin “Alfa”, një proces fund e krye i montuar sipas ekspertizës profesionale. Thirrjet tona u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, që të ndërmarrin masa për ndalimin e këtyre veprimeve të egra dhe barbare kundër banorëve shqiptarë, liridashës e paqësor. Të ndërhyjnë autoritetet e këtij shteti për sigurimin dhe garantimin e të drejtave të ligjshme të shqiptarëve për zgjidhjen e kërkesave të tyre”, tha Jonuzi.

Protesta për Rexhail Qerimin, Shkup, foto: Faton CurriProtesta për Rexhail Qerimin, Shkup, foto: Fisnik Xhelili

Protestuesit kërkuan që të rishikohen, rivlerësohen dhe rigjykohen të gjitha lëndët gjyqësore të proceduara nga gjykata dhe prokuroritë, siç thanë, të korruptuara sipas çdo raporti vjetor të DASH, Komitetit të Helsinkit dhe institucioneve tjera në botë dhe vend që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Rasti “Alfa”, “Monstra” dhe jo vetëm duhet të hetohen nga ndërkombëtarët, pasi gjykatat dhe prokurorit e RMV-së janë të ndikuara nga politika dhe zhytura në korrupsion. Të gjitha vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në burgjet e RMV-së, si rasti i Rexhail Qerimit dhe jo vetëm, të hetohen dhe mbikëqyren kamerat e burgjeve, të vizitohen të gjitha burgjet dhe të merren masat e sigurisë dhe shëndetit të burgosurve pasi nuk i plotësojnë as kushtet elementare. Vendi ka nevojë për hapjen e një Byroje hetimi dhe Gjykate Speciale të mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar për të sjellë veting për të gjitha partitë politike, prokuroritë dhe gjykatat dhe jo vetëm”, shtoi Jonuzi.

Ndryshe, më 27 janar, në burgun e Idrizovës ka ndërruar jetë Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës, i dënuar për rastin “Alfa”.

Më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup ndodhi vrasja e një polici të njësitit “Alfa” Afrim Arifi, në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore ndërsa mbetën rëndë të plagosur edhe dy policë të tjerë.

Rasti në fjalë bëri bujë në opinioni shqiptar sepse dy vite më vonë, më 30 prill të vitit 2010 për këtë vrasje u dënuan me burgim të përjetshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së: Rexhail Qerimi dhe Agim Islami nga fshati Rashçe i Shkupit. Gjithashtu, me gjashtë vite burg u dënua ish ushtari i UÇK-së, Ramadan Shaqiri. Rasti është bazuar në dëshminë e “dëshmitarëve të mbrojtur”.

Derisa ishte në arrati, me burgim të përjetshëm u dënua erdhe Almir Drpljanin,, që më vonë u ekstradua në Maqedoni për të vuajtur burgun.

Avokatët, familjarët Qerimit, Islamit dhe Shaqirit, por edhe vetë të dënuarit gjatë gjithë kohës kanë pohuar se rasti ka qenë i montuar ata nuk e kanë kryer vrasjen dhe se janë të pafajshëm. Gjatë gjithë këtyre viteve familjarët e Qerimit kanë dërguar letra të hapura në media duke thënë se në kohën e vrasjes Rexhaili ka qenë në çajtore në fshatin Opajë. Ata kërkuan edhe nga ish Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë ta merr në duar rastin.

Të fundit