Quint-i: Masakra në Reçak bëri që NATO të ndërhynte në Kosovë
Lajmi i Ditës Rajon

Quint-i: Masakra në Reçak bëri që NATO të ndërhynte në Kosovë

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara – që ndryshe njihen si vendet e Quint-it – thanë përmes një deklarate të përbashkët se “masakra që ndodhi në Reçak, përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofe humanitare” në Kosovë.

Deklarata vjen në prag të 21-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë, dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve të vendeve të Quint-it.

Sipas së njëjtës, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

“Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje”, thotë deklarata.

Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar të vitit 1999.

NATO ka ndërhyrë me sulme ajrore kundër caqeve të ushtrisë serbe në mars të atij viti, për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë.

Rreth 13,500 persona janë vrarë në luftë, ndërsa të pagjetur ende konsiderohen më shumë se 1,600 persona.

Related posts

“Të zgjatet dita e votimeve deri në ora 21” – Protokolli i Komisionit për mbajtjen e zgjedhjeve

Televizioni Koha

Pas erës së fuqishme në Shkup, çatitë e banesave përfunduan në rrugë

Televizioni Koha

Hotelierët i presin protokollet e reja për punë

Televizioni Koha

Leave a Comment