26/05/2022
20.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, shumë arsyetime, pak investime të huaja

Investimet e huaja do të shtohen kur ne do të hyjmë në NATO, vetëm sa nuk kanë ardhur investimet por njëherë duhet të futemi në BE, ishin duke u shtuar investimet por pandemia i pengoi, janë vetëm disa nga arsyetimet e qeverisë pse vendi mbetet prapa në tërheqjen e investimeve të huaja në krahasim me vendet e rajonit, raporton REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Sipas Bankës Botërore, Serbia deri tani është më e mira nga vendet e Ballkanit Perëndimor në tërheqjen e investimeve të huaja dhe ende nuk është anëtare e NATO-s. Më pas është Shqipëria, Mali i Zi, i cili është tre herë më i vogël se Maqedonia e Veriut por ka pothuajse të njëjtat investime si në vendin tonë, BiH dhe Kosova qëndrojnë më keq.

Të dhënat e Bankës Popullore për investimet direkte në vend nga viti 2003 tregojnë se rekordi ishte në vitin 2018 kur kishte 614 milionë euro investime të huaja, viti i dytë më i mirë është viti 2007 me 505 milionë euro. Pas rekordit në vitin 2018, ka një rënie drastike, megjithëse pritjet e autoriteteve ishin që me hyrjen në NATO, situata do të ndryshojë.

Hyrja në NATO përkoi me fillimin e pandemisë Covid-19, pra në vitin 2020 kishte vetëm 201 milionë euro investime të huaja. Por kriza e pandemisë, për shembull, nuk i ka penguar investitorët të investojnë në Serbi dhe Malin e Zi, shtetet fqinje, madje kanë arritur të rrisin investimet e huaja në pandemi.

Maqedonia e Veriut ka pësuar rënien më të madhe të investimeve të huaja në rajon gjatë pandemisë të vitit 2020, sipas të dhënave të publikuara nga Konferenca e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim. Investimet e huaja në rajon në vitin 2020 janë ulur për 14 për qind në krahasim me vitin 2019, në Maqedoninë e Veriut rënia është pothuajse tre herë më e madhe.

Shumica e investimeve në vitin 2020 shkuan në Serbi – 3.4 miliardë dollarë amerikanë, që është një rënie prej një të pestat në krahasim me vitin 2019, pastaj Shqipëria me 1.1 miliardë dollarë, që është një rënie prej 14 për qind krahasuar me një vit më parë. Mali i Zi ka 529 milionë dollarë, që 27 për qind ka rritje të investimeve më shumë në krahasim me vitin 2019, rënia në Bosnje dhe Hercegovina ishte 7 për qind dhe vitin 2020 e mbyllën me 371 milionë dollarë dhe Maqedonia e Veriut ka më së paku – 224 milionë dollarë investime të huaja, që është 38 për qind më pak krahasuar me një vit më parë.

Drejtori i Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale, Jovan Despotovski, tha se vendi është një hap me pjesën tjetër të rajonit, veçanërisht me fqinjin tonë verior Serbinë.


Jovan Despotovski
“Në periudhën e kaluar ka disa faktorë për të thënë se pse Maqedonia e Veriut ka mbetur pas Serbisë. Dëshiroj të përmend se ndër të tjera ka pasur shumë çështje të hapura politike në vend në periudhën deri në vitin 2017. Anëtarësimi në NATO dhe verifikimi i stabilitetit politik të vendit ka kontribuar në të kaluarën, pas pandemisë, vit që kemi një rritje të ndjeshme të interesimit nga investitorët, veçanërisht nga investitorët me vlerë më të lartë dhe cilësi, në mënyrë që një nga faktorët që deri më tani, pra deri para disa vitesh funksiononte në interes të fqinjëve, por jo në interes të shtetit tanë, tanimë nuk ka”, tha Despotovski.

Por sipas Bankës Botërore, Serbia deri tani është më e mira në Ballkanin Perëndimor për tërheqjen e investimeve, dhe nuk është anëtare e NATO-s. Serbia është pothuajse katër herë më e madhe se vendi ynë për sa i përket popullsisë, dhe sipas të dhënave të Bankës Botërore nga viti 2019 ka pasur tetë herë më shumë investime të huaja në Serbi se sa në vendin tonë.

Pas Serbisë për tërheqjen e investimeve të huaja është Shqipëria, e cila është anëtare e NATO-s dhe ka një popullsi prej 2.8 milionë banorësh dhe ka tërhequr dy herë më shumë investime për dallim nga vendi. Mali i Zi, i cili ka tre herë më pak banorë se Maqedonia e Veriut, ka më pak investime të huaja se sa vendi. Bosnja Hercegovina qëndron më keq me 3.3 milionë banorë dhe pothuajse ka investime si në vendin tonë. Më keq në rajon qëndron Kosova, e cila ka banorë, përafërsisht, sa Maqedonia e Veriut dhe ka dy herë më pak investime se ne.

“Në krahasim me vendet tjera të rajonit nuk do të pajtohesha që jemi mbrapa, përkundrazi folëm për metodologjinë që përdoret për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa për shtetet që janë para nesh ato hyjnë në kategorinë e investimeve që bëhen në lidhje me burimet minerale, gjë që ne nuk e praktikojmë në vendin tonë. Pra, nëse flasim për investime të huaja drejtpërdrejt pas mirëkuptimit që kemi do të thotë me kompani të mëdha me renome vijnë në vendin tonë, sjellin teknologji, krijojnë vende pune, e them përsëri, përveç fqinjit verior, nuk mund të them se vendet tjera të rajonit janë në nivelin e Maqedonisë së Veriut”, tha Despotovski.

Analisti ekonomik Arben Halili, i cili ishte edhe drejtor i Zonës Zhvillimore Industriale Teknologjike në Tetovë, tha se të gjitha autoritetet në dekadën e kaluar e kanë promovuar vendin te investitorët duke ofruar fuqi punëtore të lirë, por, siç thotë ai, Maqedonia e Veriut nuk është cilësuar si një vend me fuqi punëtore të kualifikuar.

“Mendoj se ky është treguesi kryesor, por jo i vetmi që po e humbim betejën me rajonin në tërheqjen e investimeve. Së dyti, ndoshta më e rëndësishme është mungesa e stabilitetit politik. Çdo të dytin vit kemi zgjedhje dhe fatkeqësisht ende nuk kemi një strategji të qartë se çfarë duam të arrijmë si vend dhe cilat janë masat që duhet të marrim për të pasur më shumë investitorë të huaj. Përveç përfitimeve financiare dhe fuqisë punëtore të lirë, ende nuk kemi asgjë konkrete dhe tërheqëse që mund t’u ofrohet investitorëve të huaj” tha Halili.

Në periudhën janar-shtator 2021, totali i investimeve drejtpërdrejt në vend arrin në 285.6 milionë euro, kryesisht si rezultat i fitimeve të ri-investuara.

Maqedonia e Veriut po e humb betejën për investime të huaja me vendet e rajonit, thuhet në analizën e Institutit për Politikë Ekonomike Financiare Think, të prezantuar në një konferencë online për media.

Hulumtimi për sfidat e iniciativës së Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR) ndër të tjera thekson se vendet e vogla, si Maqedonia e Veriut, mund të përfitojnë nga qasja e planifikuar e koordinuar në tërheqjen e investimeve të huaja, të parapara në TPR, duke pasur parasysh kushtet aktuale pozicioni jo konkurrues i Maqedonisë së Veriut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Tani për tani, vendi po e humb betejën ka një rënie të investimeve të huaja, sepse në rajon ka konkurrencë. Nëse në një vend të rajonit ka rritje të investimeve, patjetër që në vendin tjetër duhet të ketë ulje. Kjo atmosferë konkurruese aktualisht nuk i përshtatet Maqedonisë së Veriut. Me rritjen e përqindjes së investimeve të huaja drejtpërdrejt në Ballkanin Perëndimor, pjesa e Maqedonisë së Veriut nuk është e përfaqësuar mjaftueshëm në investimet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në katër vitet e fundit”, tha Bojan Srbinoski nga Finance Think.

Totali i investimeve të huaja drejtpërdrejt (IHD) në vend është me pjesëmarrje të ulët në Bruto Prodhimin e Brendshëm Vendor (BPBV). Për Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2019, pjesëmarrja vjetore e IHD-ve në BPBV është rreth 4 për qind. Në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi është mbi 7%, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina qëndrojnë më keq se Maqedonia e Veriut.

Të fundit