27/06/2022
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shtrohet aktakuzë për lëndën “Pasaportat”

Pas një procedure hetimore ndërkombëtare, prokurori kompetent i Prokurorisë Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Gjykatën Themelore Shkup 1 – Shkup shtroi aktakuzë kundër tre personave, shtetas të Maqedonisë. Personat ngarkohen se kanë kryer vepër penale “Organizimin e një grupi dhe nxitjen e zbatimit të veprave tregti me njerëz, tregti me fëmijë dhe kontrabandimin e emigrantëve” dhe vepër të vazhduar penale “Kontrabandimin e emigrantëve”.

Siç kumtoi Prokuroria Publike Themelore, në periudhën nga qershori 2016 deri në gusht 2018 i dyshuari i parë, si organizator i grupit kriminel së bashku me shtetas të tjerë të Maqedonisë dhe të huaj, ka siguruar dokumente të falsifikuara të emigrantëve potencial të cilët nuk kanë mundur të marrin viza të rregullta për SHBA-në dhe Kanadanë. Ai për përfitime, duke bërë dokumente të rrejshme për udhëtim, në mënyrë ilegale ka bartur emigrantë përmes kufirit tonë shtetëror dhe përmes një rute të dakorduar paraprakisht i ka dërguar në Guatemalë, Meksikë, Kostarikë që të munden prej atje përmes vendkalimit ilegal – kufirit të ashtuquajtur të gjelbër nga Meksika të mbërrijnë në vendet e destinacionit përfundimtar – SHBA dhe Kanada.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, i dyshuari i parë së bashku me dy të dyshuarit e tjerë si pjesë e një grupi ndërkombëtar kriminel i përbërë prej personave nga Shqipëria, Spanja dhe shtete të tjera, nga lakmia kanë krijuar dhe organizuar grup për kontrabandimin e emigrantëve.

Gjatë vitit 2017 dhe gjysmës së parë të vitit 2018, grupi pasi fillimisht do të realizonte takim të drejtpërdrejtë me emigrantët potencial – shtetas shqiptarë dhe tanë, ka bërë rekrutimin e tyre me ç’rast u ka organizuar udhëtim të plotë prej vendeve amë, përmes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Republikës Dominikane, deri tek vendet e destinacionit final SHBA dhe Kanada. Grupi ka siguruar dokumente të falsifikuara për emigrantë potencial, ka rezervuar dhe blerë bileta për autobusë dhe transport me aeroplan, ka rezervuar dhe paguar akomodim të përkohshëm të emigrantëve në hotele/motele dhe hostele në vendet e kësaj rute. Për veprimet e ndërmarra, organizatorët e grupit kriminel kanë marrë pagesa në të holla prej emigrantëve në shumë prej 20.000 deri në 25.000 dollarë për një emigrant.

Të dyshuarit si organizatorë të grupit kriminel e kanë planifikuar numrin e emigrantëve ilegal, zakonisht nga dy deri në katër persona, të cilët është dashur të kontrabandohen, e kanë dakorduar periudhën kohore dhe rutën nëpër të cilën do të realizohet kontrabandimi i emigrantëve përkohësisht do të qëndrojnë. E kanë dakorduar mënyrën e sigurimit të garancisë dhe pagesën e shumës së dakorduar pas arritjes së emigrantëve në vendet e destinacionit final.

Duke e pasur parasysh llojin, peshën dhe lartësinë e mundshme të dënimit për vepra ndëshkuese për të cilat ngarkohen të akuzuarit, prokurori kompetent me aktgjykimin shtroi edhe propozim të veçantë për vazhdimin e masës arrest për të akuzuarit me qëllim të zbatimit të papenguar të procedurës penale. shk/

Të fundit