26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sot fillon pagesa e biletës shtesë nëse kalohet koha për parkim zonal në Tetovë

Ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit” nga Tetova prej sot, 1 mars, do të fillojë të tarifojë tejkalimin e orarit për parkim zonal. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin bilet me shtesë, që qytetarëve do t’u kushtojë 1500 denarë, ndërsa ishte paralajmëruar vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Si përkujtim, nëse shfrytëzuesi i një vendi parkimi tejkalon kohën e planifikuar të parkimit dhe nuk vazhdon të përdorë shërbimin e parkimit (nëse një mundësi e tillë parashikohet nga sistemi për tarifimin e shërbimit të parkimit), si dhe në rastin e parkimit të veturës në vendet e parashikuara për parkimin e mjeteve të personave me aftësi të kufizuara, nga persona që nuk i përkasin kësaj kategorie, shkel kushtet e përdorimit të vendparkimit, për të cilin është i detyruar të paguajë biletë shtesë. Shuma e biletës shtesë është përcaktuar në tarifën e NP “Parkingu i qytetit” – Tetovë dhe do të jetë 1500 den. Nëse paguhet brenda 24 orëve nga dita e lëshimit, do të paguhet vetëm gjysma e vlerës, pra 750 denarë”, njoftojnë nga ndërmarrja

Urdhri për pagesën e biletës shtesë lëshohet nga kontrollori.

“Nëse nga ana tjetër bileta shtesë nuk paguhet brenda 8 ditëve nga dita e lëshimit për shfrytëzuesin e parkingut, do të inicohet procedurë për pagesën e borxhit me harxhime shtesë që lidhen me pagesën e detyruar dhe kamatëvonesat e parapara me ligj. Të nderuar qytetarë, për të mos u përballur me situata të pakëndshme, ju bëjmë thirrje gjithashtu që të respektoni rregullat dhe rregulloret e parkimit. Le të veprojmë dhe të punojmë së bashku për të vendosur rregull në parkimin në qytet. Të respektojmë rregullat, për të mirën e të gjithëve”, theksojnë nga “Parkingu i qytetit”.

Në kuadër të njoftimit kanë shpallur edhe fletë-pagesën, në anën e pasme të së cilës shpjegohet edhe mënyra e pagimit të biletës shtesë.

Në zonën e parkimit A në Tetovë, parkimi kushton 40 denarë, ndërsa në zonën B 30 denarë për një orë dhe në zonën C 20 denarë. Nga e hëna në të premte parkimi në zonë në kohë dimërore tarifohet nga ora 07:00 deri në 21:00, ndërsa në verë nga ora 7 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Të dielave dhe festave parkimi në zonë është falas.

Të fundit